Baton Haxhiu thotë se investimi i Jared Kushnerit në Sazan është investimi i parë i turizmit elitar në Shqipëri, që e vendos vendin tonë në PR e rëndësishëm të botës. Sipas Haxhiut në Sazan do kenë mundësi pak njerëz të shkojnë, pasi do të jetë i shtrenjtë, jo vetëm për shqiptarët e ballkanasit, por një pjesë të madhe të Europës. Duke komentuar intervistën e gazetarit britanik Matt Broomsfield, dhe pritshmëritë për projektin, Haxhiu tha:

“Unë mendoj ky investim do të realizohet në dy faza. Faza e parë e Zvërnecit dhe e dyta ajo e Sazanit. E ndoqa intervistën e gazetarit britanik, por nëse shkojmë me këtë logjikë…! Shumica e klubeve futbollistike, qendra e Londrës është e blerë nga biznesmenët e Emirateve, Arabisë Saudite, Rusisë dhe shumica e shtëpive në Londër janë blerë nga të pasurit e botës.

Qendra më e Madhe tregtare është e ish-të dashurit të Princeshës Dajana. Logjika e z.Matt Broomsfield është e palogjikshme, e pajustifikueshme, unë s’do kisha dashur që një mentalitet socialist brenda kapitalizmit britanik të jetë i ndikuar në Shqipëri.

Në pjesën ku ka turizëm elitar, mund të duket jo humane, por s’mund të hyjnë, s’kanë mundësi…Atje do ketë restorante dhe njerëzit mund të shkojnë, por do jetë jo vetëm i shtrenjtë për shqiptarët, por për një pjesë të madhe të Ballkanit dhe Europës. Unë e besoj që turizmi elitar, është investimi i parë që hyn në Shqipëri, të tjerat janë turizëm masovik. Ky e vendos Shqipërinë në PR e rëndësishëm të botës.

Kur kjo marrëveshje është lidhur, z.Trump s’ka qenë në pushtet, dhe projekti, marrëveshja, kanë përfunduar 2 vite para zgjedhjeve, dhe s’ka të bëjë me pushtetin, por me idenë e një gruaje, Ivanka Trump, që ka një farë projektimi të vizionit të saj për një bregdet të paprekur. Sazani s’ndërton asnjë rrëfim politik, ku vendet myslimane si Arabia Saudite të krijojë një farë aleance të ‘myslimanëve të mirë’ me Izraelin. Ky është rrëfim dashakeq. Intervista më la shije të keqe. Nuk të ndalon askush të hysh brenda nëse ke lekë. S’besoj se Sazani do jetë zonë e ndaluar”, tha ai për MCN.