Belind Këlliçi, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Tiranë, e ka cilësuar Ramën si një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë në emisionin Debat me Alba Alishanin në A2 CNN, Këlliçi i referohet zhvillimeve të fundit mes SHBA-së dhe drejtësisë shqiptare, për të përforcuar akuzat e tij.

“Javën e kaluar, e ngarkuara me punë e SHBA-së dorëzoi një letër në SPAK ku kërkohej intensifikimi i luftës kundër karteleve të drogës, të njëjtave që presidenti Trump i ka shpallur organizata terroriste,” tha Këlliçi.

Ai theksoi se vetë kjo kërkesë është një tregues se autoritetet shqiptare po dështojnë në përballjen me këtë fenomen. Sipas tij, Shqipëria është kthyer në një qendër të trafikut ndërkombëtar të drogës, dhe porti i Durrësit është bërë një pikë strategjike për qarkullimin e kokainës në Europë.

“Në katër vitet e fundit nuk është kapur asnjë kilogram kokainë në portin e Durrësit. Rama ka kthyer Shqipërinë në një Pazar të gjësë së gjallë dhe në një narkoshtet, siç e kanë cilësuar edhe media të mëdha ndërkombëtare,” deklaroi ai.

Këlliçi përmendi gjithashtu edhe skandalin me ish-agjentin e FBI-së në Nju-Jork, të cilin Rama sipas tij e ka korruptuar, duke shtuar:

“Një kryeministër që ka marrëdhënie me kartelet dhe që korrupton agjentë të lartë të zbulimit amerikan, përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së.”

Ai tha se sipas mendimit të tij një prej 3 ministrave që ka caktuar kryeministri Rama për të monitoruar punët e Bashkisë Tiranë, është denoncuesi anonim Nesti Angoni, që çoi dhe kryebashkiakun Veliaj pas hekurave.

Sipas Këlliçit, ministrat Balluku, Gonxhja dhe Manastirliu kanë ambicie për të drejtuar bashkinë e Tiranës, duke përjashtuar Petrit Malaj.

“A do të kemi zgjedhje në Tiranë… Ende nuk dihet. Kryeministri u shpreh se nuk ishte i sigurt çfarë do të ndodhte me vendimin e Gjykatës së Lartë. Dhe mesa duket do të kemi zgjedhje dhe në bashkinë e Tiranës.

Tani do të shohim raportin e Ballukut, me vlerësimin e punës së aparatit të Bashkisë së Tiranës. Balluku ka afrimitetin më të lartë me Veliajn, mendoj se Rama i ka bërë një qokë duke vendosur motrën e tij. Të njëjtin aparat që ka pasur në bashki, Rama e ka zhvendosur atë dhe në qeveri.

Nuk e di se kë Rama do të përcaktojë për Tiranën, por do të jetë kukulla e tij. Duhet të demontojmë atë që ka ndodhur në 11 maj dhe t’ua bëjmë të ditur qytetarëve. I takon PD të gjejë modalitetet për të rezultuar e suksesshme në zgjedhjet e pjesshme lokale.

Unë dhe në 2023 isha i vetëdijshëm që po hyja në një garë të pabarabartë. Gjatë fushatës kam bërë shumë denoncime aferash. Unë e kam bërë detyrën dhe jam anatemuar, më është kërkuar mua se përse vidhte 5D.

Nesti Angoni duhet të jetë mes 4-ëshe që drejton punët në Bashki. E gjithë veprimtaria e Nestit është për të arritur në këtë ditë. Të katërt kanë ambicie për Tiranë. Malajn e përjashtoj. 3 janë për hir të vërtetës. Njëri prej tyre është Nesti Angoni”, tha ai.