Mes Sali Berishës dhe ‘besnikut’ të tij Belind Këlliçi duket se ka nisur një përplasje, që nuk ka mbetur vetëm brenda mureve të PD, por të dy po e shfaqin publikisht në mënyrë të tërthortë. Pasi urdhërori gazetarin e medias së familjes së tij, Çim Pekën, që të sulmojë publikisht Belind Këlliçin përse ai lavdëroi SPAK, tashmë Berisha po i shfaq hapur edhe vetë pakënaqësitë me Këlliçin.
Edhe pse e vendosi në listën e sigurt të Tiranës për ti dhënë një vend në Kuvend në shtator, pavarësisht dy humbjeve për Bashkinë e Tiranës, raportet mes Berishës dhe Këlliçit tani duken se nuk qenkan aq të shëndetshme. Aq më pak kur bëhet fjalë për drejtësinë e re, SPAK-un, që Berishën dhe dhëndrin i ka marrë të pandehur për aferën Partizani.
Nga selia blu teksa sulmoi kreun e SPAK, Altin Dumani se nuk po bën asgjë për votën e lirë, Berisha kishte rezervuar edhe një mesazh për Belind Këlliçin, duke i kujtuar se cili është qëndrimi që duhet të kenë ushtarët e tij për SPAK-un. Pa iu bërë asnjë pyetje e drejtpërdrejtë për Këlliçin, Berisha doli vetë në temë duke u thënë gazetarëve se para se të vinte në seli “kishte marrë në telefon Belindin” dhe e pyeti “ku je?”. Sipas Berishës, Këlliçi i tha se ishte në Prokurorinë e Tiranës pasi SPAK i kishte kaluar për kompetencë kallëzimin për zyrën e Erion Braçes ku pretendonin se organizohej blerja e votave më 11 maj.
Duket se Berisha është kujdesur t’i japë mesazhin e qartë Belind Këlliçit se ndryshe nga sa ai po promovon punën e SPAK se do ketë arrestime, në fakt SPAK-u nuk po bën asgjë dhe madje edhe kallëzimin e tij e paska ‘dëbuar’ në Prokurorinë e Tiranës, edhe pse bëhet fjalë për krim elektoral.
Strategjia e Berishës është e qartë. Ai nuk fal askënd që i del kundër në raport me drejtësinë dhe mesazhi duket se nuk shkon vetëm për Këlliçin, por për të gjithë ata deputetë demokratë që mbështesin punën e drejtësisë së re.
“Sot, para se të vij këtu, marr në telefon Belind Këlliçin. Belind ku je? ‘Në Prokurorinë e Tiranës’. Po pse je aty? ‘Jam aty, tha, se këtu kanë sjellë çështjen ‘Braçe’. A ju kujtohet ju se cila është çështja ‘Braçe’? Zyra ilegale e PS-së, zona te Rruga e Kosovarëve, ku regjistroheshin, paguheshin dhe kryenin veprime ilegale, e paarreduar, me të gjitha simbolet. Pra, ishte zyrë ilegale.
Shikoni çfarë bëjnë tani këta. Për të larë duart me të, shkon në prokurorinë e Tiranës, në një kohë kur është krim elektoral, në një kohë kur Braçe është deputet”, tha Berisha.
Përplasja publike u zbulua pas deklaratës së Këlliçit se shpejt SPAK do të bëjë një tjetër arrestim të bujshëm në radhët e socialistëve, duke iu referuar ish-kryebashkiakut Tërmet Peçi. Si fillim, Berisha hodhi në sulm gazetarin e medias së familjes Syri Tv Çim Pekën, i cili e quajti Belind Këlliçin “si një gazetar kronike” që sillet siç i shërben Edi Ramës dhe Altin Dumanit. Më pas reagoi edhe Arjana Kalaja që përmes një statusi foli për privilegje të pa-merituara në parti. Mesazh ky, që dukej se i adresohej pikërisht atij./Shqiptarja.com