Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri me dije sot se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) po përballon me sukses rritjen e ndjeshme të konsumit të energjisë gjatë muajit korrik.
Sipas Ballukut, kërkesa për energji elektrike është rritur me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Pavarësisht kësaj rritjeje, furnizimi për abonentët mbetet i pandërprerë, falë masave të marra nga OSHEE dhe angazhimit të stafit teknik në terren.
“Skuadrat janë në gatishmëri të plotë për riparimin e çdo avarie që mund të paraqitet”, deklaroi ministrja përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ajo shtoi se “e gjitha kjo padyshim reflekton edhe ditët e nxehta, por duke ju referuar historikut edhe një vit më parë, korriku dhe gushti kanë qenë dy muaj shumë të nxehtë, por nga ana tjetër reflekton edhe kërkesë që vjen në rritje për shkak të njësive të reja të hotelerisë apo banesave të cilat kanë filluar të jenë të përdorshme apo edhe njësive të biznesit operacional”.
“Me gjithë kërkesën e rritur me 20%, krahasuar me vitin 2024, puna që po bëhet sot në terren nga grupet e OSSH është një punë që e konsiderojmë shumë të mirë, pasi shkëputjet kanë qenë minimale dhe nga ana tjetër të gjitha ato avari që kanë ardhur për shkak të ngarkesës së rritur, sigurisht janë sistemuar dhe rregulluar në një kohë rekord”.
Rritja e temperaturave dhe shtimi i konsumit të energjisë nga qytetarët dhe bizneset kanë bërë që korriku të jetë një nga muajt me ngarkesën më të lartë në rrjetin energjetik.