Kryetari i partisë Demokratike doli sot përsëri në një konferencë për gazetarët, që prej dy muajsh e ka kthyer në një ritual të përditshëm, duke denoncuar manipulimin e votës së diasporës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Ai deklaroi se shumë nga zarfat nuk u kthyen nga DHL në Shqipëri. Për rastin e Italisë Berisha pretendoi se mbi 15 mijë vota nuk u kthyen, duke deklaruar se “votat u mbytën në Adriatik”. Ai tha se ka shumë zarfa me firma të falsifikuara si vizë apo fjongo, raste kur kanë firmosur persona të tjerë dhe jo votuesi apo edhe dorëzime të këtyre zarfeve pas zgjedhjeve të 11 majit.

“Mbi 15 mijë vota të diasporës shqiptare në Itali u mbytën në Adriatik dhe nuk mbërritën në Shqipëri, vota të qytetarëve shqiptarë. Nuk dihet se kush është personi që i takon, kush e ka marrë votën. Janë 30% e rasteve, shenjat e firmave me vizë apo fjongo me përqindje të lartë. Në 42 raste është krejtësisht falsitet dorëzimi i fletëve të votimit. Janë dorëzuar në zyrat e PS-së, nuk u është dorëzuar votuesve. Janë bërë dorëzime pas ditës së votimit, 12 apo 14 maj. Ka raste kur të tjerë persona kanë firmosur dhe jo vetë personi”, tha kreu i selisë blu, duke i qëndruar deklaratave për farsë elektorale.

Ai kërkoi nga shqiptarët e diasporës që të ngriheshin kundër këtij manipulimi dhe falsifikimi zgjedhor, kundër qeverisë dhe mazhorancës.