Sali Berisha ka reaguar ndaj qasjes së kryeministrit Edi Rama ndaj pushtetit vendor, duke e akuzuar se po tenton të uzurpojë çdo hallkë të qeverisjes, përfshirë edhe kompetencat e pushtetit lokal.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se kryeministri po sillet si “kryetari i bashkisë së Shqipërisë” dhe se po ushtron presion ndaj kryetarëve të bashkive të djathta që të zbatojnë urdhrat politikë në vend të Kushtetutës.
“Edi Rama sillet jo vetëm si kryeministër, por tashmë edhe si kryebashkiak i Shqipërisë. Qëllimi i tij është të ketë nën kontroll të gjitha pushtetet në vend. Kryetarët e bashkive të djathta do të respektojnë Kushtetutën dhe Kartën Europiane të Autonomisë Lokale, jo urdhrat e partisë,” u shpreh Berisha.
Ai përmendi rastin e kryetarit të bashkisë së Kavajës, i cili, sipas tij, ka refuzuar zbatimin e një urdhri për shkarkime, duke e cilësuar këtë si një qëndrim në mbrojtje të ligjit dhe autonomisë vendore.
Berisha akuzoi Ramën se po e injoron qëllimisht detyrimin që rrjedh nga Karta Europiane e Autonomisë Lokale, si dhe angazhimet e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Europës.
“E ka tmerr fjalën ‘demokrat’, sepse ajo i kujton fundin e pushtetit të etërve të tij politikë. Kryetarët e bashkive të djathta nuk do të nënshtrohen ndaj udhëzimeve partiake. Ata do të veprojnë vetëm në përputhje me Kushtetutën, ligjin për qeverisjen vendore dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë,” theksoi Berisha.
Sipas tij, kryeministri ka shpërthyer në “urrejtje ndaj bashkiakëve dhe administratorëve vendorë”, si pjesë e një strategjie për të marrë në dorë edhe pushtetin lokal.