Nga Mero Baze/
Disa vite më parë, gati një dekadë, u përpoqa me shumë miq të mi të bëja qoftë edhe privatisht një plan urbanistik për fshatin tim dhe pastaj t’ia ofroja atë bashkisë që të ishte si një lloj manuali për zhvillimin e fshatit. Askush nuk e merrte përsipër. Bashkia jo e jo. Gjithmonë më dërgonte një djalë që merrej me marrëdhënie publike dhe më thoshte: “Çfarë problemi ke?” Nuk kisha asnjë problem. Por më duhej një plan urbanistik që të vizatonte rrugën për çdo lagje të fshatit, që të kishte akses dhe të tregonte se ku duhet të zhvillohej për ata që kishin dëshirë të ktheheshin.
Një ditë, duke e kthyer në problem këtë gjë, dikush më gjen një plan urbanistik të fshatit të vitit 1987, në arkivën e Këshillit të rrethit në Gjirokastër. Ishte në kalk, i dëmtuar pjesërisht, por i lexueshëm. E skanova dhe riparova dhe pashë që ishte i jashtëzakonshëm. Asnjë arkitekt nga shokët e mi që e mora nuk do ta bënte dot ashtu siç e kishte bërë një topograf i kohës së komunizmit, ndihmuar nga urbanisti i rrethit. Qysh më 1987, kishte llogaritur ku mund të zhvillohej pjesa e fshatit për banim, ku për argëtim e turizëm, dhe kishte shpërthyer zonat e izoluara të fshatit që janë ende me ferra, duke i dhënë jetë përrojve dhe brigjeve përreth.
Prej asaj dite, unë ende nuk kam përgjigje nga askush nëse ky plan është në fuqi, a ka fuqi ligjore ende dhe a mund të bëhet “update”. Nuk po flas për leje, se me burokracinë që ekziston për të marrë leje në fshat, nuk shkon askush të marrë. Është më e lehtë të përballosh një betejë me kallash me FNSH se sa një betejë letrash me zyrat e urbanistikës në rrethe apo në Tiranë.
Ajo që po ndodh në Theth është një film i parë që do të përsëritet edhe në të ardhmen, aty dhe në vende të tjera me potencial të lartë turistik. Arsyeja nuk është vetëm mospërmbajtja e banorëve të zonës për të ndërtuar ku të munden, por edhe shteti shqiptar.
Që zonat me potencial turistik duhen ruajtur nga ndërtimet pa leje, qoftë edhe me armë, kjo nuk do debat. Problemi është se forca si parim përdoret kur prishet një rregull i qëndrueshëm, por ne nuk kemi ende një rregull.
Ajo që u mungon fshatrave shqiptarë është një plan i detajuar urbanistik, vijat e verdha të fshatit dhe garancia që plani nuk ndryshon dhe është afatgjatë.
Ajo fotografia e Kishës së Thethit dhe fusha ikonike para saj ka 100 vjet që është kartolina e alpeve shqiptare. Që nga koha e Edith Durham-it, ajo postohet në çdo vend të botës kur flitet për veriun e Shqipërisë. Natyrisht që duhet ruajtur ashtu.
Por turizmi, nga ana tjetër, do përgjigje.
Dhe Shqipëria ka nevojë për një Kod urbanistik me tre të pestat e votave për zonat me potencial turistik, që të jetë i vështirë për t’u ndryshuar.
Për 35 vjet, Thethi e meritonte një plan urbanistik të konsoliduar, të vendosur në qendër të fshatit, në një hartë gjigande ku t’u tregohej të gjithëve ku ka mundësi të ndërtohet dhe çfarë të ndërtohet. Me siguri që dhe po t’ia kishe kërkuar qeverisë gjermane, do ta bënte falas, do të sillte arkitektin më të mirë pa lekë. Kjo, së paku, do frenonte ëndërrimtarët e shkatërrimit dhe do t’i përballte banorët vetëm me burokracitë e lejeve të ndërtimit.
Por minimumi, Shqipëria ka nevojë të ketë një plan urbanistik të konsoliduar në çdo fshat, mundësisht të bërë publik në qendër të fshatit, për t’u treguar të gjithëve se kush do të ndërtojë, do të ndërtojë në këto vende dhe në këtë mënyrë. Kjo heq koston e lartë të lakmisë dhe shëmtisë urbane që pjell interesi i lartë për turizmin në ato zona, por nga ana tjetër e bën edhe të parashikueshëm zhvillimin, pasi tregon ku duhet të lihen rrugët, ku duhet të jenë ndërtesat e fshatit dhe ku objektet me destinacion turizmin apo jetën sociale.
Kjo nuk është se mund ta frenojë tërësisht fenomenin e ndërtimeve pa leje, por do të ulë shumë kostot e atyre që u ikën dëm mundimi për gjëra të mëdha dhe të shëmtuara.
Së dyti, masat represive dhe sidomos shqiptimi i gjobave të frikshme dhe ndërtimi i një aparati mbikëqyrës represiv është një arsye e fortë për ndërtime pa leje, pasi inspektorët hajdutë i përdorin ato gjoba për t’i frikësuar njerëzit dhe për t’i rrjepur.
Greqia, e cila ka mentalitet të përafërt me ne për ndërtimet pa leje, e ka zgjidhur duke e thjeshtuar ligjin e ndërtimit pa leje. Sipas ligjit, ai që ndërton në tokën që nuk e ka të vetën, ndërtimi i kalon pronë të zotit të tokës. Nëse ai është privat, e merr ai; nëse është shteti, e merr shteti. Pra, ia merr 100 për qind pronën, nuk hyn në negociata, gjoba, përqindje etj. Kaq mjafton që askush të mos harxhojë asnjë lekë për “tokë të zënë”.
Kjo e shoqëruar me planin urbanistik, që ata që e kanë tokën e tyre ta dinë se ku dhe çfarë duhet të ndërtojnë, e lehtëson procesin, pasi në fund të fundit, ky i dyti ka nevojë për legalizim urbanistik, por jo për pronën.
Dhe së fundmi, përsëri, i vetmi mjet që të na shpëtojë nga mbrojtja me armë nga ndërtimet pa leje, është liberalizimi dhe rregullimi i jetës në fshat. Lehtësimi i procedurave për të marrë leje, dhënia e tyre nga zyrat urbanistike të bashkive me një procedurë të thjeshtuar dhe projekte të imponuara nga vetë bashkia sipas një kodi urbanistik për fshatrat, ku përfshihet identiteti i zonës dhe tipologjia e ndërtimit, do t’i çojë gjithë njerëzit drejt ligjshmërisë. Dhe kjo do të na shpëtojë nga mbrojtja me armë të territorit prej zaptimeve dhe ndërtimeve pa leje.
Ndryshe, këtë betejë do ta shikojmë çdo vit, pasi njerëzit, në fund të fundit, duan të zhvillojnë pronat e tyre dhe, kur nuk u jep zgjidhje shpejt dhe qartë, do bëjnë ato marrëzira që kanë bërë në Theth.
Rregullimi i procedurave për leje ndërtimi në fshat, hartimi i planit urbanistik për çdo fshat, jo me tender, por nga bashkitë përkatëse, bazuar edhe në studime të vjetra, thjeshtimi i lejeve dhe heqja e masave represive që janë në duar të inspektorëve hajdutë, do ta relaksojë raportin e banorëve të fshatit me territorin dhe shtetin, ku ende nuk janë pjesë e pranuar e tij, pasi ende i trajtojnë si banorë të dorës së dytë.