Blerina Gjylameti, është një nga deputetet që nuk arriti të zgjidhej pas tre mandateve. Në një postim të gjatë, ajo ka bërë të ditur se pret që të angazhohet në një pozicion të ri politik brenda mazhorancës.
Të dashur qytetarë, miq, bashkëpunëtorë dhe bashkëudhëtarë në këtë rrugëtim politik,
Pas dymbëdhjetë vitesh si përfaqësuese në Kuvendin e Shqipërisë, ndjej sot nevojën të ndaj me ju disa mendime, ndjenja dhe reflektime.
Ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm. Më është dhënë mundësia të përfaqësoj zërin tuaj në Parlamentin e Shqipërisë, të jem pjesë e vendimeve që kanë ndikuar në jetën e shumë familjeve shqiptare, të mbroj vlera dhe të ndërtoj ura bashkëpunimi mes qytetarëve dhe institucioneve. E kam bërë me ndershmëri, përkushtim dhe pa u kursyer, sepse besoj se politika është, mbi të gjitha, shërbim dhe përgjegjësi.
Kam luftuar për barazi dhe më shumë mundësi për gratë, për të rinjtë, për familjet që kërkojnë mbështetje dhe për një shoqëri më të drejtë dhe më solidare. Kam besuar fort në idealin e një Shqipërie europiane dhe do të vazhdoj ta besoj këtë ideal, pavarësisht rolit tim institucional.
Nuk mund të fsheh se rezultati i zgjedhjeve ishte një moment reflektimi për kontributin e dhënë me ndërgjegje të pastër, për t’i shërbyer njerëzve dhe vendit tim. Kam dhënë më të mirën time në çdo moment. Mendoj se, edhe pse nuk do të jem më pjesë e Parlamentit, angazhimi qytetar nuk ka fund – sepse përkushtimi ndaj komunitetit nuk lidhet me një mandat, por është një mënyrë jetese.
Ndaj sot nuk largohem, por thjesht i hap rrugë një etape të re. Një fazë tjetër e shërbimit publik – ndoshta në një formë tjetër, por me të njëjtin pasion dhe me të njëjtat parime që më kanë udhëhequr deri më sot.
Uroj shumë suksese kolegëve të mi, të vjetër dhe sidomos të rinjve, që së bashku me kapitenin tonë Edi Rama , do të vazhdojnë historinë e Partisë Socialiste në Parlamentin e Shqipërisë. Këtë herë, jo vetëm si vijim i rrugës së nisur që në fillimet e tranzicionit, por mbi të gjitha për të çuar deri në fund misionin e transformimit të Shqipërisë në një vend europian.
Na pret shumë punë përpara, për të shpërblyer besimin dhe votën me të cilën qytetarët na kanë besuar të ardhmen e tyre dhe të vendit.
Me mirënjohje dhe përulësi.
Blerina