Policia në Kosovë sqaroi arsyet përse u kërkuar largimi i menjëhershëm i deputetëve dhe gazetarëve nga salla e Kuvendit, ku ishin mbledhur në pritje të nisjes së seancës konstituive të radhës, e cila tashmë është shtyrë për në mbrëmje.
Burime të policisë pohuan se kanë marrë përmes një telefonate një kërcënim lidhur me një mjet shpërthyes që ndërtesën e parlamentit.

Edhe Arben Loshi, zëvendës i sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, pohoi se evakuimi i godinës ishte kërkuar me urgjencë pasi “një person kishte bërë një telefonatë në gjuhën anglez duke kërcënuar se një bombë e vendosur ne ndërtesën e Kuvendit do të shpërthente brenda 10 minutave”. Kaq mjaftoi për të ngjallur shqetësim dhe pakënaqësi.

Loshi sqaroi më tej se forcat xheniere i kanë kryer tashmë kontrollet brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendi, ku kanë mbërritur ndërkohë edhe efektivë te Njësisë Speciale të Kosovës e automjetet e parkuara në oborr, janë kontrolluar edhe me qen.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, insistoi se bëhet fjalë për një “kërcënim të qartë”. “Edhe policia e mendon kështu”, shtoi ai ndërsa kur iu kërkuan më shumë detaje rreth kërcënimit u përgjigj: “me sa di unë, vetëm përmes telefonatës”.
Deputetët u mblodhën sot për ta vazhduar seancën konstituive të Kuvendit, në përpjekjen e tyre të 42-të për ta bërë Kuvendin që nga 15 prilli. Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja, ndërsa afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit po i afrohet fundit.