Në emisionin “të Paekspozuarit” në MCN TV u debatua për masat e paraburgimit që janë dhënë në këto vite ndaj ish-zyrtarëve të lartë, por edhe të tjerëve. Analistët Andi Bushati dhe Baton Haxhiu debatuan për ndalimet në paraburgim të njerëzve të fuqishëm.

Ndërsa Haxhiu u shpreh se ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj me arratisjen në Zvicër dha një precedent të keq si zyrtar që duhej përballur me drejtësinë, Bushati tha se ai u tregua i zgjuar sepse këtu drejtësia është në dorë të “maskarenjve”, duke patur parasysh SPAK-un.

Haxhiu: Në Kosovë ka gjykatë speciale dhe hetuesia ka zgjidhur mbi dy vite. Edhe këtu me pak presion ndërkombëtar. Për njerëzit e fuqishëm nuk shikohet ligji dhe këtu e në Australi është njëlloj një vit shkon paraburgimi. A duhet të rrinë 9 muaj apo një vit deri sa të ngrihet akt-akuza kjo varet nga rrezikshmëria dhe sa është shteti i fortë dhe i gatshëm t’i ruajë njerëzit në arrest shtëpiak. P.sh. Arben Ahmetaj ka dhënë një precedent të keq se iku në Zvicër.

Bushati: Ai u tregua i zgjuar.

Haxhiu: Nuk është zgjuarsi t’i ikësh drejtësisë.

Bushati: Jo po të bëhesh peng i ca banditëve që të fusin në burg me urdhër.

Haxhiu: Këtu kemi dallim.

Bushati: Një drejtësie që nuk e besoj, unë nuk i nënshtrohem.

Haxhiu: Pyetja ime Bushat është ti beson se ata njerëz që janë prapa grilave janë të pakorruptuar?

Bushati: Jo nuk është kjo çështja.

Haxhiu: Nëse ti beson se janë të korruptuar, nuk është me rëndësi se fajësia mbi kë bie.

Bushati: Nëse ne të dy shkojmë të vjedhim një bankë dhe kemi vetëm drejtësi që më dënon vetëm mua, ose vetëm ty, kjo nuk është drejtësi, janë banditë dhe nuk shtrohet çështja nëse bënë mirë që futën vetëm Bushatin, jo bënë shumë keq.

E kupton ti që Erion Veliaj është atje për veset e gruas dhe nuk është as për incenerator as për 5D? A e kupton që hajdutët e bankës, ca janë në burg, ca janë në samitet e NATO-s? Kjo është drejtësia e SPAK-ut. Prandaj nuk është drejtësi dhe bravo i qoftë Arben Ahmetajt që u la targën këtyre maskarenjve.