Pas publikimit të një videoje nga Arjan Konomi, ku ky i fundit akuzon publikisht Endri Shabanin për mungesë transparence dhe abuzim me fondet e koalicionit “Shqipëria Bëhet”, përplasja mes dy figurave që dikur ishin bashkë në këtë lëvizje ka hyrë në një fazë të re publike.

Për herë të parë, Endri Shabani iu përgjigj këtyre akuzave publikisht, gjatë intervistës së dhënë në emisionin Dekalog të Roland Qafokut në DritareTV.

I pyetur për akuzat, ai u shpreh:

“Janë shantazhe. Kush ka prova për abuzim me fonde, le t’i çojë në prokurori, jo të flasë në televizor. Kam gati një dosje për të gjitha shantazhet dhe fyerjet që janë bërë ndaj personalitetit tim. Këto janë çështje penale dhe civile.

I nxitur nga Qafoku për të komentuar konkretisht përplasjen me Arjan Konomin dhe videon e publikuar prej tij, Shabani tha:

“Nuk dua të përmend emra, por ky është një presion shumëplanësh. Megjithatë, unë nuk intimidohem.”

Shabani sqaroi një nga pikat më të debatueshme të krizës në koalicionin “Shqipëria Bëhet”, që lidhet me listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë.

I pyetur nga gazetari Qafoku nëse daja i tij, Zeqir Kordhoni, do të jetë në Parlament, Shabani u përgjigj prerazi:

“Jo. Ai nuk do të jetë në Parlament, ai nuk ka dashur të shkojë . Nuk i përket këtij misioni. Ai ka synuar të detyrojë Lapajn të mbajë fjalën që i ka dhënë elektoratit”

Në vend të tij, sipas Shabanit, mandatin e deputetes do ta marrë Kleana Xhuveli, motra e Adriatik Lapajt.

“Aktualisht është Kleana Xhuveli ajo që do të marrë mandatin, për sa kohë nuk jep dorëheqjen,” tha Shabani.

Ai shtoi se i ka kërkuar publikisht Adriatikut të zbatojë marrëveshjen, për listën e mbyllur, ku kandidatët formalë do të dorëhiqeshin pas zgjedhjeve për t’i lënë vendin emrave që merrnin më shumë vota nga lista e hapur.

“Ne duam të respektojmë listën e hapur. Kjo ka qenë fryma e marrëveshjes dhe ajo për të cilën kemi marrë besimin e qytetarëve,” theksoi Shabani.