Një magazinë në Vorë që falsifikonte datat e skadencës së produkteve ushqimore është zbuluar nga Policia e Tiranës, duke çuar në pranga administratorin e subjektit, Florenc Domi 38 vjeç, si dhe magazinierin Agim Domi, 58 vjeç.
Në shkelje të ligjit për sigurinë ushqimore, të arrestuarit falsifikonin etiketat e skadencës së produkteve ushqimore të përpunuara, të cilat ishin të skaduara që prej janarit dhe shkurtit të këtij viti.
Këto produkte më pas hidheshin sërish në treg, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e konsumatorëve.
Sipas asaj që bën të ditur policia, është sekuestruar një sasi e madhe mallrash ushqimore të përpunuara, të skaduara në muajin janar dhe shkurt me etiketa skadence të falsifikuara.
Bëhet fjalë për subjektin ‘Master AL’ në Vorë.
Ky subjekt, me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan, u falsifikonte datat e skadencës dhe i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor.