Direkt pas vizitës zyrtare në Gjermani, kryeministri Edi Rama ka mbërritur me helikopter në Vlorë. Helikopteri u ul tek vilat qeveritare në zonën e Ujit të Ftohtë.

Vizitën e disatë në pak ditë në qytetin e Vlorës këtë të mërkurë, Rama zgjedhur kësaj here një mjet të pazakontë transporti – një helikopter ushtarak tip “Cougar”.

Zbritja është kryer në ish-fushën e aviacionit, prej nga ku më pas Rama është shoqëruar me eskortë drejt vilës qeveritare. Kjo vizitë vjen pas asaj të datës 3 korrik, kur kryeministri pati një qëndrim kritik ndaj administratës vendore, duke shkaktuar lëvizje dhe reagime në Bashkinë e Vlorës.

Ende nuk është e qartë nëse vizita e sotme ka një karakter pune, apo nëse Rama ka zgjedhur të kalojë disa ditë pushimi në vilën qeveritare. Zyrtarisht, nuk ka pasur njoftime për ndonjë takim apo aktivitet të planifikuar me autoritetet lokale.

Burime të ndryshme nuk përjashtojnë mundësinë që kjo vizitë të jetë e lidhur me ndonjë inspektim të befasishëm apo zhvillime të fundit në drejtimin e Bashkisë nga kryebashkiaku Ermal Dredha.