Nga Mero Baze/
Ky debat që në PD të mos ketë debat për Berishën, është më i pazakonti në botë.
Në gjithë historinë e debateve në botë, filli i debateve nis dhe mbaron tek nevoja për ndryshim dhe çfarë duhet të ndryshojë pas një humbjeje. Në Partinë Demokratike në Shqipëri, shumë aktorë politikë të mbetur aty kanë gjetur një zgjidhje se si të flasin për nevojën për mosndryshim në PD.
Dhe ky është debati më i veçantë në PD.
Të gjithë ata që janë ende brenda PD-së, e nisin fjalinë që në PD duhen bërë shumë ndryshime përveçBerishës, dmth që nuk duhet të ndryshojmë asgjë.
Por nëse nuk duhet të ikë Berisha nga drejtimi i PD-së, atëherë pse ka humbur PD-ja dhe pse Berisha nuk ia ka dalë dot ta çojë në fitore?
Se PD nuk është as ndonjë Parti Demokratike vendimet e të cilës varen nga baza apo deputetët. Në PD gjithçka e ka bërë Berisha. Listat i ka bërë ai, kryesinë e ka bërë ai, vendimet dhe udhëzimet i ka prodhuar ai, strategjinë elektorale e ka bërë ai… Atëherë nëse nuk duhet të ndryshojë ai, përse duhet të flitet kot për probleme brenda PD-së?
Nëse PD nuk ka problem në udhëheqjen e saj, ajo nuk duhet të përfshihet fare në debatin publik. Një parti që e ka në rregull liderin, dhe kur gjithë drejtuesit e saj janë të kënaqur me të, nuk ka pse të ankohet. Humbja në zgjedhje nuk është problem për udhëheqjen por për demokratët e thjeshtë. Por ata nuk i pyet njeri.
Një njeri normal do ngrinte dyshime serioze se kjo duhet të jetë ndonjë strategji për ta degraduar tërësisht PD-në që të bëhet e padobishme dhe për Berishën dhe familjen e tij.
Por as kjo nuk është. Është dhe më keq. Është një betejë e gjatë 35-vjeçare e Berishës për ta bërë PD-në të padobishme për çdo njeri tjetër përveç tij.
Pra, tani aty nuk gjen asnjë njeri që e ndjen veten si në partinë e tij, por ndihen të gjithë si dhëndër brenda apo nuse në familjen Berisha, dhe duhet të lajnë këmbët e të madhit të shtëpisë çdo natë para se të flejë.
Çdo problem tjetër në PD ata e quajnë problem mes njëri-tjetrit për mënyrën dhe shkallën e përkushtimit ndaj Berishës. Dhe debati është sesi t’i shërbejnë atij më mirë.
Për këtë nuk kemi shumë fuqi t’i vlerësojmë, por e sigurt është se nëse vazhdojnë kështu, do ta lënë Berishën pa PD përpara se ai të vdesë.
Lëvizni nga pak, debatoni, që së paku të vdesin të dy në një ditë e mos t’u ngelet merak që nuk e mori me vete.