Nga Mero Baze/
Në Theth faji është i ndarë mes shtetit dhe ndërtuesve pa leje. Faji i shtetit, tashmë i pranuar nga vetë qeveria, është gjithë struktura administrative dhe politike që ka lejuar ndërtimet, që për mua është shumë e besueshme që janë lejuar përmes parave nën dorë. Dhe dëmi është dyfish, pasi kanë inkurajuar një krim të madh, për një fitim të tyre.
Përtej korrupsionit, qeveria është përgjegjëse në një periudhë më afatgjatë lidhur me strategjinë e zhvillimit të një prej zonave me potencial të lartë turistik. Dhe gjithmonë boshllëkun që lë ligji e mbush paligjshmëria dhe tregu i egër.
Por tani debati për Thethin nuk mund të bëhet si debati për lagjen 5 Maji në Tiranë dhe tokën e Nëna Lizës. Debati për Thethin ka kuptim të bëhet duke rënë dakord që nëse do flasim për perspektivën e një vendi turistik apo të një fjetoreje. Si fjetore nuk vlen asnjë lek, nëse i prish perspektivën turistike. Se po të ishte e mirë për fjetore, nuk boshatisej derisa u shfaq interesi për turizmin.
Prishja e ndërtimit dhe kthimi në pikën zero është detyrim për qeverinë, por me një kosto që duhet të bëhet gati ta paguajë. Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për kosto financiare, por për një plan urgjent për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në atë zonë.
Ajo që kishte nisur të ndodhte nuk është as turizëm, as i qëndrueshëm dhe as ligjshmëri. Ajo është në thelb vrasje e turizmit për atë zonë. Ndalimi i saj i bën nder zonës dhe vetë operatorëve të turizmit në Theth, pavarësisht emocioneve të ditës.
Nëse kthehemi pas në kohë dhe do të pranojmë që Parku Rinia dhe Lumi i Lanës kishin marrë djersën dhe gjakun e qindra investitorëve në Tiranë, natyrisht nuk do ishin prishur kurrë, edhe pse përgjegjëse për to ishte po shteti.
Por unë nuk kam njohur më asnjë ish-ndërtues të paligjshëm në Parkun Rinia që nuk i doli më mirë më pas, kur ndërtoi me leje dhe përfitoi nga zhvillimi i Tiranës.
E njëjta gjë duhet të ndodhë dhe në Theth.
Çdo subjekt që po dëmtohet nga ky aksion tërësisht i domosdoshëm dhe i vonuar, duhet të ulet me qeverinë në negociata dhe të bien dakord për një plan zhvillimi që garanton investimet e tyre jo vetëm nga ana ligjore, por edhe nga pikëpamja e tregut. Thethi nuk do të jetë më atraksion turistik, nëse pllajat e tij mahnitëse dhe kodrat përreth do të bathorizohen. Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm ndërtimet pa leje në tokë të botës apo tokë të babës, por edhe ndërtimet me leje.
Gjëmat më të mëdha administrata jonë i bën kur jep leje, sesa kur nuk jep leje.
Pra, debati nuk duhet të përqendrohet as te “toka e babës”, as te “toka e zënë”, as te ndërtimi pa leje. Rreziku më i madh i Thethit në të ardhmen mund të jenë ndërtimet me leje, nëse ato nuk bëhen brenda një plani të qartë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Turizmi i qëndrueshëm në ato zona është turizmi familjar, turizmi i kullave dhe bujtinave të mëdha që përballohen me fuqi punëtore të familjeve dhe që garantojnë identitet, miqësi me natyrën dhe mbi të gjitha nuk zhgënjejnë turistët nga gjithë bota që shkojnë drejt Thethit e Valbonës për natyrën. Kanë shkuar aty edhe kur nuk kishte asnjë bujtinë.
Pamjet e sotme dhe të këtyre javëve në Theth do të jenë të rënda, por më të rënda do të ishin ato pamje nëse Thethi do të lihet në rënie të lirë dhe në vullnetin që është duke prerë degën e pemës ku ka hipur.
Zgjidhja e vetme është që çdo i dëmtuar dhe të tjerë që duan të investojnë në atë zonë, të stimulohen me përparësi për t’u orientuar drejt një biznesi të ligjshëm që garanton mbijetesën e Thethit si vend turistik dhe jo si kapanon për të fjetur.
Nëse Thethin e vrasim si vend turistik, gjithë këto debatet e tjera janë kot. Do të jetë plagë më e madhe të shikosh kapanone të ndërtuara bosh, ku nuk shkel njeri, sesa të korrigjohet një zhvillim i gabuar për faj të qeverisë dhe vetë banorëve.
Ky “mort” në Theth mund të jetë një pikë kthesë e fortë, për ta parë problemin e turizmit në Theth në sy dhe për t’i dhënë një zgjidhje afatgjatë, që mund të bëjë të harrohet dhimbja e gabimeve të sotme prej qeverisë dhe ndërtuesve.
Vetëm ajo mund të sigurojë që Thethi do të mbetet një vend turistik dhe jo një Bathore e eksportuar si model zhvillimi “opozitar”. Të gjithë ata që nxisin këtë model zhvillimi dhe u dalin zot fadromave me molotov, thjesht duan t’i zhysin edhe më keq ata fatkeqë, që boll dëm u është bërë duke i lënë të bëjnë çfarë u thotë mendja.
Të gjithë ata që deri më sot e sulmojnë qeverinë në disa raste me të drejtë për tejkalim të lejeve për zhvillim në zona turistike, apo që flasin për dëmet në natyrë, befas janë reshtuar pro një modeli zhvillimi që e vret Thethin. E përsëris: nuk është puna te toka e babës, toka e zënë apo mungesa e lejes së ndërtimit. Ato rregullohen me pak vullnet. Problemi është se si do të mbijetojë Thethi si zonë turistike dhe si t’u shërbejë atyre banorëve, përfshid he viktimave të këtij modeli.