Nga Ulsi Manja

Sot është një nga ato ditë që si prind nuk e harroj dot lehtë. Sot, pas pesë vitesh plot përpjekje, studime dhe sakrifica, Sonora mbylli me sukses rrugën e saj në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua si juriste.

Nuk ishte një rrugëtim i zakonshëm. Pesë vite më parë, në shtatorin e vitit 2020, kur e gjithë bota ishte në izolim dhe Shqipëria sapo kishte dalë nga gjendja e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, ajo nisi universitetin online, pa mundur të shijojë siç duhet ditën e parë të studentit. Si prindër, unë dhe Mira nuk arritëm t’ia bënim atë ditë aq të veçantë sa do të donim. Por jeta dhe koha i diktojnë rregullat e tyre dhe ne mësuam shpejt të përshtatemi.

Si gjimnaziste e shkëlqyer, Sonora kishte shumë mundësi: fitoi plot 10 degë dhe në fillim ëndërronte edhe mjekësinë. Ja lashë të lirë zgjedhjen, me bindjen se çdo prind duhet t’i japë fëmijës lirinë të ndjekë zemrën dhe arsyen e vet. Dhe, megjithëse u tundua dhe nga degë të tjera të reja përveç mjeksisë si arkeologjia apo dizajni, vendosi me dëshirën e saj të ndjekë rrugën time – drejtësinë. Një zgjedhje që më bëri veçanërisht të lumtur, sepse do të ndaja me të jo vetëm profesionin, por edhe pasionin për ligjin dhe drejtësinë.

Nga ajo vjeshtë e 2020-ës e deri sot, e kam ndjekur aq sa kam mundur – herë më nga afër, herë me distancën që të imponojnë angazhimet e mia publike. E pashë të përparojë vit pas viti, me orë të gjata leximi e net pa gjumë gjatë sezoneve të provimeve. Sot, ajo u diplomua me një temë në të drejtën penale – një zgjedhje që më kujton rrugëtimin tim para 24 viteve në të njëjtin fakultet edhe pse gjithmonë i kam thënë që e drejta civile është “matematika e juridikut” dhe e kisha ëndërr ta shihja të thellohej dhe aty.

Por Sonora bëri zgjedhjet e saj. Dhe sot është një juriste e re, e zonja dhe e përgatitur – më shumë se kam qenë unë në moshën e saj. Jo vetëm për shkak të notave si ekselente apo dijes së freskët, por sepse i ka arritur të gjitha me forcat e veta. Pa kërkuar kurrë favore. Pa përdorur emrin apo mbiemrin tim si politikan apo si ministër. Pa bujë, me kokën ulur mbi libra, me një egoizëm të shëndetshëm për të arritur vetë gjithçka.

Jam krenar për të, sepse edhe kur mbiemri ynë e bëri herë pas here të paragjykohej – siç shpesh ndodh padrejtësisht në këtë vend – ajo nuk u ndal. Nuk u viktimizua. Nuk kërkoi ndihmë. Nuk bërtiti. Vetëm punoi, shtrëngoi dhëmbët dhe shtoi orët e studimit dhe u rrit si njeri dhe si profesioniste.

Dua t’i them Sonorës sot – dhe çdo vajze apo djali të brezit të saj – se nuk ka emër të madh që të siguron suksesin dhe nuk ka mbiemër që të pengon po pate vullnet dhe dije. Mjafton të ulësh kokën, të studiosh dhe të kesh etje për dije. Ky është çelësi i vetëm i suksesit të ndershëm dhe të qëndrueshëm.

Sot, Sonora, unë, mamaja jote Mira dhe vëllezërit e tu Ersi e Uesli festojmë bashkë me ty. Ti sot je juriste, kolege e imja, dhe gëzimi më i madh është që i ke kalur pritshmëritë e mia me sjellen tënde korrekte për moshën tënde dhe kohën e vrullshme të zhvillimit teknologjik që po kalon bota dhe Shqipëria. Ti na ke nderuar si prindër, sepse na ke dëshmuar që i kemi bërë gjërat si duhet – me mundësitë dhe përkushtimin që ka çdo prind shqiptar.

Ndaj sot dua të të jap vetëm një këshillë: tani fillon gjithçka nga e para bija ime. Lexoji prapë nga fillimi të gjitha librat dhe leksionet që ke marë në fakultet – tani jo më si studente, por si juriste. Dija do të jetë arma jote më e fortë. Mos u ndal kurrë. Ec përpara e sigurt, duke mbetur vetvetja. Kështu do t’i thyesh të gjitha paragjykimet dhe do të mbetesh njeri i lirë në këtë botë që ndryshon çdo ditë.

Urime zemra ime! Sot ke një tufë me lule nga babi, mami dhe vëllezërit që të duan shumë por nesër ke një jetë të tërë për të fituar.