Nuk gjendet sërish konsensusi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Seanca e 47-të ka dështuar edhe këtë të martë (15 korrik) pa gjetjen e një gjuhe të përbashkët nga subjektet politike për konstituimin e legjislacionit të nëntë.
Vetëm 51 deputetë kanë votuar pro Komisionit për Votim të Fshehtë, dhe mungesa e një kuorumi ka sjellë ndërprerjen e seancës plenare për të vijuar me një tjetër përpjekje të 48-të më 17 korrik.
Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate deklaroi se kjo parti ka ofruar zgjidhje për dalje nga ngërçi politik, ndërsa u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të kenë të njëjtën dëshirë për gjetjen e një zgjidhje.
“Ne e kemi zgjatur dorën për t’ia dhënë një mundësi dhe të mos quhet ngërç apo situatë e bllokuar, pra për ta zhbllokuar. Ne ia kemi zgjatur dorën e bashkëpunimit për të ndërtuar shumicën parlamentare. Nga Nisma është gatishmëria, dëshira, veprimi konkret për të gjetur një zgjidhje. Do të doja edhe të tjerët të ofronin zgjidhje konkrete”, tha Limaj teksa bëri me dije se do të zhvilloj bisedime me kryeministrin në detyrë për gjetjen e një rruge për daljen nga ngërçi politik.