Ka një kohë që Tomor Alizoti, dikur një deputet që citonte Hegelin dhe filozofët gjermanë në parlament, është zhvendosur drejt një leksiku që ka të bëjë me kulinarinë. Dhe aty, fjala dominuese është “të ngrënit”.
Në daljet e tij publike, ai nuk shpjegon më sistemin me terma filozofikë, por me skena si prej tryezash të mbushura. Rama s’është më kundërshtar politik, por një “kafshues”. Socialistët nuk janë më kundërshtarë ideologjikë, por janë “pjatë e ditës”.
Në një intervistë të fundit, Alizoti tha: “Këta njerëz ky do t’i hajë, sepse kështu është sistemi.”
Pak muaj më parë në Elbasan, me gjuhë të luftës, deklaronte se do t’i “hante socialistët të gjallë”, si një gladiator që zbret në arenën e luftës me barkun bosh. Kurse pas zgjedhjeve, në një kthesë siç vetëm ai di t’i marrë, u shpreh se ishte vegjetarian.
Çfarë ndodh me Tomor Alizotin?
A ka ndërruar filozofinë me dietologjinë? A e ka zëvendësuar kritikën politike me oreksin për të ngrënë?
Apo thjesht është kthyer në nxënës të zellshëm të “shokut Sali”, ku retorika e frikës dhe kërcënimit zëvendëson debatin politik?
Çudi se si degradojnë politikanë të llojit Alizoti, që dikur citonte Hegelin, ndërsa sot thjesht përtypet./ TemA