22 Korriku shënon Ditën Botërore të Trurit, një nismë për të rritur ndërgjegjësimin mbi shëndetin e trurit dhe sëmundjet neurologjike.
Faktorë si stresi, mungesa e gjumit, përdorimi i drogës dhe teknologjisë, vetmia ndikojnë negativisht në sistemin nervor.
Edlira Harizi, shefe e Shërbimit Neurologjik SRD (Spitali Rajonal Durrës): “Sivjet, slogani i Federatës Botërore të Neurologjisë është mbrojtja e shëndetit të trurit në çdo moshë. Ne duhet ta mbrojmë trurin që kur ai nis të konceptohet tek fetusi, duke e mbrojtur nënën të bëjë një jetë të shëndetshme, larg stresit, substancave narkotike, alkoolit dhe një diete shumë të mirë. Pastaj edhe në fëmijërinë e hershme dhe në adoleshencë, institucionet, çerdhet, kopshtet, shkollat etj. duhet të kujdesen për këtë. Stresi që përjeton mosha adulte në familje apo me humbjen e vendit të punës shpesh çon edhe në përdorimin e drogës dhe alkoolit, që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e sistemit nervor. Kemi edhe shëndetin e trurit të moshës së tretë që përballet me vetmi dhe demenca është një fenomen global që kërkon një kujdes të veçantë për këtë moshë.”
Sipas OBSH-së, sëmundjet neurologjike janë ndër shkaqet kryesore të paaftësisë dhe vdekshmërisë në botë. Edhe në Durrës, numri i tyre është shtuar. Ndërkaq, pandemia e Covid-19 ka sjellë pasoja të shtuara në shëndetin neurologjik.
Edlira Harizi, shefe e Shërbimit Neurologjik SRD: “Sëmundjet neurologjike janë në rritje dhe pas Covid-it është vënë re një rritje e sëmundjeve degjenerative, demenca, epilepsia apo çrregullimet e kujtesës, foggy brain – një tru i mjegulluar post-Covid. Çfarë duhet të bëjmë? Të suportojmë trurin që në konceptimin e tij për të parandaluar sëmundjet e rënda që mund të zhvillohen. Ne nuk mund të ndryshojmë gjenetikën tonë, por në një familje që ka pacientë me sëmundje neurologjike, familjarët duhet të bëjnë check-up, kontrolle nëse kanë shenja për këto sëmundje. Evidentimi dhe mjekimi i hershëm janë parandalim i komplikacioneve të mëtejshme.”
Truri është qendra e gjithë veprimtarisë sonë, ndaj kujdesi për të, sipas mjekëve, nuk është luks, por nevojë jetike që kërkon vëmendje nga të gjithë, veçanërisht nga institucionet dhe strukturat që ofrojnë kujdes shëndetësor dhe social.