Pas 2 shtyrjeve nga 3 muaj që GJKKO i dha Prokurorisë së Posaçme për të plotësuar hetimet për dosjen e privatizimit të dosje Buka, SPAK ka prezantuar këtë të mërkurë konkluzionet e fundit në seancë paraprake.

Vendimi për kalimin ose jo në gjyq të dosjes me të pandehur për shpërdorim detyre ish-zv. kryeministrin Arben Ahmetaj pritet të merret më 17 korrik, pasi gjykata i la dy javë kohë mbrojtjes për të që të njihet me veprimet e reja hetimore të kryera nga prokurori Elvin Gokaj dhe të japë konkluzionet e saj.

SPAK e ka marrë të pandehur ish numrin dy të qeverisë Arben Ahmetaj për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se ai i ka shkaktuar shtetit shqiptar dëm ekonomik në vlerën 7 miliardë lekë.

Organi i akuzës vijon hetimet për 7 personat e tjerë të përfshirë në ketë çështje, përfaqësues të Ministrisë së Financave si dhe ndaj biznesmenit Lirim Fezollari.

Ky i fundit sipas hetimeve, përfitoi nga privatizimi në kohën kur Arben Ahmetaj ishte ministër i Financave. Ka dyshime se Ahmetaj dhe Fezollari, kishin marrëdhënie përtej komunikimit institucional, nga e cila ka arritur të privatizojë aksionet e shoqërisë “Buka Sh.a.

Arben Ahmetaj u shpall në kërkim në muajin korrik të vitit 2023, pas hetimeve për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, ku ish numri dy i qeverisë, rezultoi se kishte përfituar shuma të ndryshme parash nga pronarët e inceneratorëve.

SPAK shpalli në kërkim Ahmetajn për kryerjen e 3 veprave penale, “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.