Avokati Idajet Beqiri thotë se ish kryeministri Sali Berisha po zvarrit procesin në lidhje me dosjen “Partizani”, teksa luftën, kreu i opozitës e ka me Gjykatën Kushtetuese.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Beqiri u shpreh se Berishën e pret një dënim me 12 vjet burg.

Sipas Beqirit, ndaj Berishës, ka nisur procedim penal nga SPAK, për korrupsion dhe pastrim parash, lidhur me biznesmenin Damir Fazlliç.

“Atij nuk i ka ngelur gjë tjetër tashmë, vetëm disa artificie që ia lejon kodi i procedurës penale. Ai do t’i përdorë këto artificie deri në fund, me shpresën që do fitojë ditë, duke e hequr veten si shefi i opozitës. Jo vetëm e zgjat, por ai e di fundin e këtij procesi gjyqësor, që do të përfundojë me një dënim 12 vjet burg. Ai po luan me avokatët e vet me gjykatën. Ai e ka luftën me Gjykatën Kushtetuese. Ai e di që kjo kërkesë është shqyrtuar dhe i është dhënë përgjigje, që gjyqtarët e GJKKO, nuk kanë asnjë lloj papajtueshmërie me SPAK. SPAK kontrollon gjithëkënd, këdo që kryejnë krime në këtë vend. Berisha e di që do marrë përgjigje negative. Kërkesa e avokatëve të Berishës është e paligjshme. Është proceduar Sali Berisha, Argita Malltezi, Shkëlzen Berisha, Jamarbër Malltezi. Po hetohen për këtë çështje. Për korrupsion të lartë dhe para të pista, për serbin Fazlliç. SPAK do ketë një vendim për këtë çështje. Berishës po i vjen vërdallë mendja për arrestimin e Petrit Çakrrit. Ai është dora e zgjatur e Berishës. Ai nuk po luan gur që t’i thotë, mbylle gojën. Berisha, e pret një fat jashtëzakonisht i zi”, theksoi ai.