Në draftin e ri të Kodit Penal parashikohet që gjykata mund të vendosë një masë ndaluese për personat e dënuar, duke i detyruar ata të mos frekuentojnë vende apo persona të caktuar, kur kjo vlerësohet e nevojshme për të parandaluar sjellje të rrezikshme ose përsëritjen e veprës penale.
Sipas Nenin 93, me titull “Detyrimi për të mos frekuentuar vende dhe persona të caktuar”, thuhet se:
“Detyrimi për të mos frekuentuar vende ose persona të caktuar, jepet nga gjykata ndaj të dënuarit kur çmohet e drejtë që, shoqërimi i tij me persona të caktuar apo frekuentimi i vendeve të caktuara, ndikojnë negativisht në sjelljen që ai shfaq.”
Gjykata mund të vendosë këtë masë ndaj një të dënuari për ta ndaluar të shoqërohet me persona të dënuar apo bashkëpunëtorë në krim, si dhe për të mos lejuar frekuentimin e vendeve ku është kryer vepra penale, apo çdo vend tjetër që konsiderohet me rrezik për rendin publik.
“Kryesisht, gjykata detyron të dënuarin të mos shoqërohet me persona të dënuar, bashkëpunëtorët e veprës penale, të mos frekuentojë vendet ku ai ka kryer veprën apo edhe çdo vend tjetër kur vlerësohet që prania e tij do të ndikojë në sigurinë e rendit publik”, thuhet më tej në dispozitë.
Masa e parashikuar në këtë nen synon të ndërpresë lidhjet e të dënuarve me shoqëri me ndikim negativ dhe të garantojë mbrojtjen e interesit publik në rastet kur kontakti me persona ose vende të caktuara përbën rrezik për shoqërinë.