Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, në një komunikim me gazetarët ka folur lidhur me prezantimin e draftit për Kodin e Ri Penal.
Haxhia shprehet ka shumë probleme, ndërsa shprehet se duhej dhe një komunikim për nevojën që çoi në përgatitjen e këtij drafti për këtë kod. Ai tha më tej se kjo nuk do të pranohet as nga Europa dhe tha se kodi i ri përmban më shumë dënime se në kohën e komunizmit. Më tej, Haxhia shtoi se gjithashtu bie ndesh me parimet e avokatit.
“Drafti i Kodit Penal ka një mal me probleme. Duhet të dilte me një komunikim për të gjithë aktorët, me nevojën që çuan për përgatitjen e këtij drafti për këtë kod. Nuk kemi prezencën e nevojës pse duhet kod i ri. Nuk është si rrjedhojë e nevojës së organeve të drejtësisë. 23 herë është ndryshuar. Është inkuizitor, nuk do ta pranojë Europa. Ka dënime represive më shumë se në kohën e komunizmit. Janë vënë nene diskriminuese. Bie ndesh me parimet e avokatit.”, tha Haxhia.
Më tej, njoftoi Dhoma Kombëtare e Avokatisë gjatë gushtit do të përgatisë një qëndrim teknik që do të prezantohet para forcave politike dhe Komisionit të Ligjeve, me qëllim që drafti të mos kalojë në parlament.
“Nuk dihet se kush ka qenë pjesë e trupës së ekspertëve që përgatitën këtë kod, por kundërshtimin tonë do ta paraqesim edhe në Dhomën e Avokatëve në BE dhe, nëse është e nevojshme, do ta kontestojmë në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse shpresojmë të mos arrijmë deri aty. Ky projekt është skandaloz dhe ka nevojë për rishikim nga juristët. Po gjykoj këtë kod të ri, ai nuk është produkt i Ministrisë së Drejtësisë, gjë që tregon se edhe komisioni që është mbledhur nuk është përzgjedhur me logjikë. Asnjëherë në botë prokurorët dhe gjyqtarët nuk bëjnë kodet penale. Nuk ka vend në botë ku prokurorët dhe gjyqtarët të jenë anëtarë të komisionit për hartimin e kodit penal apo çfarëdo kodi tjetër,” përfundoi ai.
Një ditë më parë edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela u shpreh se përpara se të diskutohej mbi draftin e prezantuar do të kishte qenë e nevojshme që ky diskutim të ishte paraprirë nga një reflektim mbarëshoqëror mbi nevojën e pasjes së një kodi të ri.
Sipas tij, Kodi në fuqi është miratuar në vitin 1995 dhe ka pësuar ndërhyrje të shumta për t’ja përshtatur nevojave të ndryshme që ka pasur vendi, ndaj nuk mund të thuhet se ai nuk është i përshtatshëm për kohën apo ka vështirësi serioze në zbatimin e tij. Kryeprokurori shton se mungesa e një procesi paraprak në drejtim të identifikimit të problemeve të supozuara pakapërcyeshme me kodin në fuqi dhe që shtronin nevojën për të ndryshuar tërësisht një ligj thelbësisht të rëndësishëm në jetën e vendit, i cili prek jetën e gjithë qytetarëve, natyrshëm që nuk i shërben gjetjes së një konsensusi me bazë të gjerë.
Ai thekson se ardhja e draftit në këtë moment mjaft të vështirë për drejtësinë, kur sistemi ende vuan nga mungesat masive në organika dhe mbingarkesa e jashtëzakonshme e dosjeve, nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të thellonte shumëfish kaosin në hetim dhe proceset gjyqësore, për shkak të konfuzionit të paevitueshëm që do të sillte zbatimi i normave të reja penale. Sipas tij, kjo mund të vihet re lehtësisht edhe në mungesën e një kontributi real të magjistratëve në dhënien e opinioneve mbi draftin që nga viti 2023, pikërisht për shkak të ngarkesës së papërballueshme në punë që nuk i lejon të përfshihen cilësisht në një proces kaq delikat dhe të rëndësishëm.
Çela shprehet se më tepër se për një kod të ri penal, sot vendi ka nevojë urgjente për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, për të korrigjuar gjërat që po shkojnë keq në funksionimin e tij dhe për të lehtësuar proceset nga burokracitë e panevojshme, që po ndikojnë në zvarritjen e hetimevedhe gjykimeve.