Pas një sezoni ku ishte lojtari më vendimtar për Sivasporin, duke ndihmuar skuadrën të mbijetonte me golat e tij, Rei Manaj përfundon në qendër të polemikave me klubin turk. Sulmuesi shqiptar ishte emri më i përmendur gjatë gjithë sezonit në mediat turke, por marrëdhënia e tij me klubin ka pësuar krisje të forta pas rënies nga elita.

Sipas mediave turke, Manaj është akuzuar për mungesë profesionalizmi, duke refuzuar të stërvitej në fazën e fundit të sezonit, gjë që ka acaruar drejtuesit e klubit. Në një dalje për mediat, drejtori teknik i ekipit, Osman Zeki Korkmaz, nuk e fshehu pakënaqësinë, duke i dhënë një përgjigje indirekte lojtarit shqiptar dhe njëkohësisht duke tentuar t’i ulë rëndësinë ndikimit të tij.

“E kam thënë më parë çfarë mendoj për lojtarë si Rei Manaj dhe nuk kam ndërmend të komentoj përsëri. Sipas meje, lojtari më i mirë është ai që zbret në fushë, stërvitet, dhe respekton historinë e qytetit dhe klubit. Të gjithë ata që e bëjnë këtë, janë të barabartë”, u shpreh Korkmaz. Më tej, ai theksoi se klubi duhet të largohet nga varësia ndaj individëve dhe të ndërtojë një filozofi të re.

“Roberto Karlos dhe Robinjo kanë luajtur në këtë qytet. Shpresoj që ditët e këqija të mbeten pas dhe të vijnë emra edhe më të mëdhenj. Sivaspori është më i rëndësishëm se çdo individ. Këtë filozofi duhet ta ndjekim të gjithë”. Në këtë mënyrë, duket e qartë se Rei Manaj nuk bën më pjesë në planet e Sivasporit, me largimin e tij që shihet si i pashmangshëm. Për sulmuesin e Kombëtares shqiptare pritet një verë e nxehtë merkatoje, pasi interesi për të nuk ka munguar, veçanërisht pas formës që tregoi në sezonin e fundit.