Policia Bashkiake e Durrësit ka nisur sot një aksion të gjerë për pastrimin e hapësirave publike të zaptuara, duke ndërhyrë në disa nga pikat kryesore të qytetit. Ky operacion është pjesë e një plani të strukturuar, që do të zgjasë për disa ditë dhe më pas do të shtrihet edhe në lagjet e Durrësit.
Burime zyrtare nga Policia Bashkiake bënë me dije për Lexo.al se qëllimi i aksionit është rikthimi i hapësirave publike në funksion të qytetarëve dhe zbatimi i ligjshmërisë në territor.
“Sot kemi nisur ndërhyrjen në zonat më problematike dhe të frekuentuara të qytetit. Do të vazhdojmë me këtë ritëm për disa ditë, derisa të kemi liruar plotësisht këto hapësira dhe më pas do të kalojmë në lagje. Qyteti është për qytetarët, jo për abuzuesit e hapësirës publike,” u shpreh një Drejtori i Policisë Bashkiake Durrës për Lexo.al.
Aksioni përfshin heqjen e pengesave, strukturave të paligjshme dhe elementëve të tjerë që kanë zaptuar trotuare, rrugë apo ambiente të përbashkëta. Institucioni bën thirrje për bashkëpunim dhe mirëkuptim nga qytetarët, duke theksuar se veprimet po kryhen në përputhje me ligjin dhe në interes të përbashkët.