Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Zambak Gjonit dhe Arnold Rrokaj të cilët dyshohet se janë pjesë e grupit kriminal që ‘hakeroi’ e-mailet e prokurorëve të SPAK.
Dy ish-zyrtarët e burgjeve dhe IMT mbahen nën masën e arrestit në burg, ndërsa SPAK po vijon hetimet për të zbuluar personat e tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në tentativën për të hakeruar të dhëna sekrete nga dosjet e SPAK.
Sulmi kibernetik ndodhi më 12 Mars, por SPAK reagoi përmes një deklarate zyrtare ditë më vonë, duke thënë se hackerat kanë arritur që të marrin të dhëna nga adresat e emaileve të disa prokurorëve, por se nuk kanë arritur që të depërtojnë në sistemin e brendshëm të sigurisë apo të rrjedhin dosje hetimore.
SPAK sqaroi se arrestimi i tyre u bë brenda 24 orësh nga ndërhyrja për hakerimin e emaileve të prokurorëve, dhe se sekuestruan pajisjet e përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar.
Të dy këta persona i kanë shpërndarë dokumentet që kanë arritur të marrin në persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë dy gazetarë, ish-kreu i burgjeve, Agim Ismaili dhe Dritan Palnikaj, aktualisht sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë.