Ministri britanik Peter Kyle deklaroi se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mbetet e përkushtuar për të njohur shtetin palestinez, por nuk dha një afat kohor për këtë hap, duke theksuar se sovraniteti duhet të jetë “i zbatueshëm në momentin e shpalljes së shtetësisë”.

Deklarata e tij vjen një ditë pasi Franca njoftoi se do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në shtator.

I pyetur nga “BBC” nëse Mbretëria e Bashkuar do të ndjekë shembullin e Francës, Kyle u përgjigj se prioriteti aktual është emergjenca humanitare në Gaza dhe nevoja për të siguruar “ushqim në pjatat e njerëzve”.

Ai shtoi se kryeministri britanik do të zhvillojë një takim me liderët e Francës dhe Gjermanisë për të diskutuar situatën në Lindjen e Mesme.

“Është një angazhim i këtij qeverie, i përfshirë në manifestin tonë, që duam të ndihmojmë në krijimin e shtetësisë për Palestinën. Kjo duhet të ndodhë në mënyrë që fuqizon popullin palestinez dhe sjell paqe e stabilitet afatgjatë. Po kërkojmë një armëpushim, dhe më pas do të bëjmë gjithçka që mundemi nga pozita e një mbështetësi për rajonin, për të krijuar kushtet që do të çojnë drejt negociatave për shtetësinë e Palestinës dhe sigurinë që i duhet rajonit”,– tha ai.

Kjo deklaratë e qeverisë britanike vjen në një kohë kur presioni ndërkombëtar për një zgjidhje politike dhe njohje të shtetit palestinez po rritet ndjeshëm, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Rripin e Gazës.