Policia e Shtetit ka bërë ndryshime në drejtimin e disa komisariateve në jug të vendit, duke emëruar tre drejtues të rinj në Kuçovë, Mallakastër dhe Vlorë. Për herë të parë, një grua është vendosur në krye të Komisariatit të Policisë së Kuçovës.
Komisare Edjona Dano është emëruar Shefe e Komisariatit të Policisë Kuçovë, duke zëvendësuar në këtë post Kleant Serdarin. Ky i fundit do të marrë drejtimin e Komisariatit të Policisë Mallakastër. Ndërkohë, Bledar Metaj, që mbante detyrën e shefit të Policisë në Mallakastër, është caktuar Shef i Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.
Ky ndryshim vjen pak kohë pasi Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, në një nga takimet e tij të para informale me gazetarët, paralajmëroi se në një nga komisariatet e vendit do të emëronte një grua si drejtuesen e re. Sot kjo deklaratë u konkretizua me emërimin e komisares Dano.