Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e të mërkurës rreth orës 22:00, në aksin Shkodër–Lezhë, pranë fshatit Dajç, ku janë përfshirë një automjet tip fuoristradë dhe një mjet trajler.

Si pasojë e përplasjes fatale, kanë humbur jetën në vendngjarje dy shtetas: bashkëshortët Refije Çiço, rreth 56 vjeçe, dhe Luan Çiço, rreth 60 vjeç.

Ngjarja tragjike ka lënë të plagosur rëndë edhe vajzën e tyre, shtetasen Alketa Çiço, si dhe fëmijën e saj 3-vjeçar. Të dy janë dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Po ashtu, në gjendje kome ndodhet edhe drejtuesi i automjetit, shtetasi Klevis Suçi, i cili është transportuar me urgjencë për trajtim të specializuar mjekësor.

Drejtuesi i trajlerit është identifikuar si Seid Islamoviç, lindur më 23 dhjetor 2005, banues në Novi Pazar në Serbi.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.