Fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”, po kalojnë ditët e nxehta të verës në kampin veror për fëmijë, duke u larë në pishinë dhe duke u angazhuar në lojëra të ndryshme fizike apo edhe tavoline.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale pamje nga momentet e bukura që po shijojnë fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” në kryeqytet. Koçiu u shpreh se këta fëmijë po shijojnë mes të qeshurave dhe lojërave, kampin veror të këtij sezoni.

“Kujdes, mbështetje dhe mundësi për një fëmijëri më të bukur dhe një të ardhme më të sigurt, për çdo fëmijë në sistemin tonë të mbrojtjes sociale”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Ky kamp veror për fëmijë është një mundësi e shkëlqyer për t’u argëtuar në ajër të pastër, mes lojërave në pishinë, lojërave sportive, akrobaci, atletike, apo në kërcim, recitim dhe lojërave të tavolinës..etj.

Mbështetja e fëmijëve në nevojë ka qenë ndër prioritetet e politikave të ndërmarra nga ministria e Mbrojtjes Sociale dhe Shëndetësisë. Në fokus të politikave ka qenë riintegrimi në shkollë, asistencë në çdo kohë për të siguruar që çdo fëmijë të rritet në një mjedis familjar, duke mundësuar mirëqenien, zhvillimin dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqëri.

Qeveria ka mundësuar rreth 3,500 bursa për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta sociale dhe ekonomike, nxënës në nevojë nga komunitetet rome dhe egjiptiane.