Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se ekonomia globale pritet të rritet më shumë sesa ishte parashikuar në muajin prill të këtij viti, pas vendimit të presidentit Amerikan Donald Trump për të zbutur disa nga kërcënimet e tij për vendosjen e tarifave të ashpra ndaj vendave të ndryshme të botës. Organizata me qendër në Washington rriti parashikimin për rritjen ekonomike globale në vitin 2025 nga 2.8% në 3%.Ndërkohë, parashikimi për vitin 2026 u rrit nga 3% në 3.1%. Ekonomia globale është rritur me 3.3% në vitin 2024. Pothuajse të gjitha vendet e botës kanë përfituar nga ky përmirësim i perspektivës ekonomike, përfshirë Britaninë, për të cilën FMN tani parashikon një rritje prej 1.2% për këtë vit – 0.1 pikë përqindje më shumë se në vlerësimin e muajit prill. Kjo përmirësim u paralajmërua fillimisht në rishikimin vjetor të Fondit Monetar Ndvrkombëtar për ekonominë britanike në maj.
Trump kishte kërcënuar në prill se do të vendoste tarifa të larta mbi importet nga eksportuesit më të mëdhenj në botë, përfshirë BE-në, Kinën, Korenë e Jugut dhe Mbretërinë e Bashkuar, në përpjekje për të luftuar atë që ai e cilëson si konkurrencë të padrejtë. Këto kërcënime tronditën tregjet: aksionet ranë dhe dollari amerikan u dobësua, teksa investitorët u drejtuan drejt aseteve të sigurta.
Më vonë, Shtetet e Bashkuara reduktuan ose shtynë disa tarifa, në këmbim të zotimeve për blerje mallrash amerikane, gjë që qetësoi tregjet. Kjo sjellje e përsëritur e presidentit është cilësuar në tregje si “Trump gjithmonë tërhiqet” ndërsa termi që ekspertët ekonomik po përdorin si trend është TAKO (Taco) . Në fundjavë, Trump konfirmoi se nuk do të vendoste tarifa 30% mbi importet nga BE, por do të kufizohej në 15%, në këmbim të blerjeve nga BE-ja të naftës dhe gazit amerikan në vlerë afro 800 miliardë dollare.
Shtëpia e Bardhë ka vendosur afatin e 1 gushtit që disa vende, përfshirë Vietnamin dhe Korenë e Jugut, që të nënshkruajnë marrëveshje tregtare me Washingtonin. Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se këto marrëveshje janë shumë të rëndësishme sa I përket aktivitetit ekonomik global. Të dhënat tregtare të publikuara këtë javë treguan se importet e mallrave në SHBA ranë me 11.5 miliardë dollarë në qershor, duke arritur 264.2 miliardë dollarë, pas një rritjeje të mëparshme në përpjekje për të shmangur tarifat. Kjo e uli deficitin tregtar amerikan në 86 miliardë dollarë, nga 96.4 miliardë që ishte në muajin maj.