Vajza që shikoni në foton e mësipërme është 26-vjeçarja Emanilda Rama, e cila u arrestua ditën e djeshme, pasi akuzohet se ka vrarë babain e saj, 56-vjeçarit Anesti Rama në fshatin Frashër të Fierit.

Bashkë me të u arrestua dhe e ëma e saj dhe bashkëshortja e viktimës, 53-vjeçarja, Valbona Rama, pasi dyshohet se pas vrasjes, nënë e bijë kanë tentuar që të fshihnin ngjarjen, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit, me qëllim inskenimin si aksidentale.

Por, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, u krijuan dyshimet se 56-vjeçari nuk kishte humbur jetën aksidentalisht.

Vajza ka pranuar më pas krimin në polici, duke treguar se i ati ishte fanatik dhe se nuk e linte që të vishej si donte apo të argëtohej.

26-vjeçarja i ka thënë grupit hetimor se 56-vjeçari i ushtronte presion në përditshmërinë e saj dhe se kishte debate të shpeshta me të atin pasi nuk i jepte para kur ajo i kërkonte.