Policia ka njoftuar sot goditjen e një rasti të rëndë në Vorë, ku subjekti tregtar “Master AL” rihidhte në treg produkte të skaduara, duke u falsifikuar etiketat, duke vënë kështu në rrezik shëndetin e qytetarëve.
Si pasojë e aksionit kanë rënë në pranga Florenc Domi administrator i subjektit tregtar dhe Agim Domi magazinier pranë subjektit tregtar “Master AL”. Procedohen penalisht ortaku dhe shoferi i magazinës.
Nga pamjet e shpërndara nga policia, shihet se produktet e skaduara përfshinin brioshë, fruta të thata, fara, pije dhe hurma arabie.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e prova materiale 716 koli dhe dhera kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara që kishin afatin e skadencës në janar dhe shkurt 2025 dhe afati i skadencës ishte falsifikuar me qëllim rihedhjen në treg për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.