Gara për drejtimin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) ka hyrë në një prej fazave më të rëndësishme, atë të testit fizik. Pas përfundimit të fazës së dytë të përzgjedhjes, nga 13 kandidatë që aplikuan fillimisht, vetëm 7 arritën të kalojnë më tej.
Komisioni i Posaçëm pranë SPAK ka vendosur që testi fizik, që përbën fazën e tretë të garës, të zhvillohet më 11 korrik 2025, në ambientet e repartit special RENEA.
Në këtë provë do të marrin pjesë 6 kandidatë, të cilët do t’i nënshtrohen një sërë ushtrimesh fizike. Testimi do të monitorohet nga një përfaqësues i prokurorëve të SPAK si dhe nga ekspertë të Universitetit të Sporteve të Tiranës.
Kandidatët që vijojnë garën janë:
Andi Pogaçe
Artur Beu
Elton Kërluku
Gentian Ndoi
Gentjan Shehaj
Gledis Nano
Joni Keta
Ndërkohë, procesi i përzgjedhjes për kreun e ri të BKH duhet të përmbyllet përpara 31 gushtit 2025, kur përfundon mandati pesëvjeçar i drejtueses aktuale, Aida Hajnaj.