Gazetari Reldar Dedja tha në Euronews Albania se Ervin Salianji po kërkon të krijojë një parti të re politike, duke kontaktuar dhe me ish-deputetë të Partisë Demokratike për këtë qëllim.
“Partia Demokratike duhet të mendojë përtej gardhit të vet. Me një pushtet agresiv si PS-ja, që kërkon njerëz me integritet, çdo emër që është në grupin parlamentar të PD-së është shumë i vogël për të krijuar një vatër lëvizje.
Ervin Salianji ka kontaktuar me ish-deputetë të PD-së të cilët janë të pakënaqur me drejtimin e Berishës, dhe do të bëjë një vatër. Salianji është takuar më këta dhe po kërkon të krijojë një valë të re.
Këtu pastaj është mënyra se si do i qasen ata hapësirës publike, simpatizantëve të PD-së, sepse mund ta kenë dëshirën e madhe për të prodhuar politikë, por që të prodhosh politikë duhet të kesh kapacitet.
Mund të ndihmojë në këtë mes dhe Rama siç e ka bërë me shumë subjekte të djathta të tjera”, tha Reldar Dedja.
Ndërsa gazetari Ardit Hoxha tha se PD pritet të riorganizohet në 2 grupe në shtator; një brenda parlamentit dhe një jashtë tij.
Sipas tij, PD pritet të promovojë disa figura të njohura të PD që u votëbesuan dhe patën mbështetje në zgjedhjet e 11 majit por për arsye të ndryshme nuk hynë në Parlament si Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja apo Ervin Salianji.
“Teoria më e besueshme që mund të zërë më shumë vend në PD, është që do ketë një ndarje thuajse me thikë mes PD në Parlament dhe asaj jashtë Parlamentit.
Mund të kemi një lidership të dytë të shkëputur nga deputetët, do krijohet një strukturë me figura që u votuan por nuk mundën në futen në Parlament që nga Alimehmeti, Salianji apo Aulon Kalaja, figura që patën mbështetje në zona të caktuara.
Në asnjë moment nuk është vënë në dyshim lidershpi i Berishës në krye të PD. Flitet për një organizim me dy faza; e ara ajo më sipër dhe e dyta pas 2026 PD të gjejë një lider dhe kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 2029”, tha Hoxha.