Liverpooli i ka bërë një tjetër homazh sulmuesit portugez Diogo Jota, i cili ndërroi jetë tragjikisht, gjë që tregon se sa e ka tronditur klubin ndarja nga jeta e 28-vjeçarit. Liverpooli i ka kushtuar një hapësirë të veçantë Jotës në faqen e tyre të internetit gjatë prezantimit të skuadrës, e cila do të jetë në pronësi të tij përgjithmonë, që do të thotë se ai do të jetë gjithmonë i listuar si anëtar i ekipit në këtë faqe. Numri 20 do jetë i tij përgjithmonë, me Liverpool që e hoqi nga qarkullimi.

Jotës iu dha një ‘vend i përhershëm’ në ekip, dhe në tekstin shoqërues, Liverpool i dedikoi fjalët e mëposhtme.

“Diogo Jota do të përjetësohet përgjithmonë si numri 20 i Liverpoolit. Sulmuesi i dashur ndërroi jetë tragjikisht në moshën 28-vjeçare në një aksident me makinë, pesë vjet pasi kishte filluar një karrierë plot me momente të paharrueshme në klubin tonë.

Me një shpërthim të madh emocionesh për Jotën, i cili vdiq në aksident së bashku me vëllanë e tij Andre Silva, klubi ka konfirmuar se numri i tij i fanellës do të tërhiqet përgjithmonë nga të gjitha ekipet e klubit”, shkroi Liverpool në përshkrimin e lojtarit, duke e përfunduar tekstin prekës me fjalët e mëposhtme.

“Vdekjet e papritura dhe tragjike të Diogos dhe vëllait të tij Andre në Spanjë më 3 korrik 2025, kanë tronditur të gjithë ata që janë të lidhur me Liverpoolin dhe kanë shkaktuar një valë homazhi në Merseyside dhe në të gjithë botën. Siç theksohej shpesh në brohoritjet e tifozëve, emri i tij ishte Diogo dhe ai na udhëhoqi drejt fitores. Do të jetë përgjithmonë numri ynë 20”, thotë Liverpool.