Ditën e hënë kur filloi gjyqi ndaj ish-kryeministrit Berisha, si për çudinë e të gjithëve, ai mungoi. Jo vetëm që nuk e ‘shfrytëzoi’ përballjen me gjykatën për ‘show’ politik, siç ka bërë çdo muaj me paraqitjen e tij në Prokurorinë e Posaçme, por ai nuk zhvilloi as konferencën e tij të përditshme me gazetarët.

Të hënën u mjaftua vetëm me një status në profilin e tij në rrjetin social facebook, në të cilin, si gjithmonë, akuzoi SPAK si të keqpërdorur nga Edi Rama.

Kjo mungesë në selinë blu u pa edhe këtë të martë, ku kreu i PD-së sërish mungoi në bashkëbisedimin e përditshëm me gazetarët.

Vlen të theksohet se përgjatë kësaj kohe, Berisha nuk ka munguar asnjëherë në komunikimin e tij të përditshëm me median, duke përsëritur përditë akuzat për vjedhje të votave dhe retorikën e tij për mosnjohje të zgjedhjeve.

Se cila është arsyeja që Berisha nuk po shfaqet këto ditë në media, nuk dihet me siguri.

Një mundësi është mospërballja e tij me gazetarët përsa i përket nisjes së procesit të tij gjyqësor, gjë që do ta shmangë retorikën e tij nga vjedhja e zgjedhjeve te halli i tij personal.

Një mundësi e dytë mund të jetë rënia e kauzës së vjedhjes së zgjedhjeve, duke parë që procesi i rinumërimit në Tiranë dhe Fier, jo vetëm që nuk po dëshmon pretendimet e Berishës, PD-së dhe kandidatëve të tij, por po tregon pikërisht të kundërtën.

Nuk është çudi që Berisha të ketë marrë pushimet për t’u rikthyer me të njëjtën retorikë dhe strategji në shtator.

Por deri atëherë ai as nuk mund t’i fshihet medias, as mund të shpikë kauza të paqena, sepse, siç po e vërteton edhe numërimi i votave, farsa e pretenduar prej tij po venitet përditë dhe më shumë, duke mos e ndihmuar pretendimin e tij dhe të njerëzve të tij të afërt./ TEMA