Pas reagimeve të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, Emisari i Shteteve të Bashkuara për Misione të Posaçme, Richard Grenell, ka reaguar këtë të diel edhe ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Grenell e ka akuzuar Osmanin për manipulim të deklaratave të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, duke shkruar: “Turp për ty, Vjosa Osmani”, në lidhje me komentet e saj për marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Trumpit si president.
“Turp për Vjosa Omsnanin për manipulimin e fjalëve të Presidentit Donald Trump. Donald Trump u nominua për Çmimin Nobel për Paqen për punën e tij në paqen dhe normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020 – përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit nga Trump në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Osmani nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur kishte diçka të re është absurde”. shkruan Grenell.
Kujtojmë që Osmani lavdëroi edhe marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Trumpit si president.
Deklaratat e fundit të presidentit Trump dhe presidentes Osmani kanë ngjallur reagime, por edhe paqartësi.
Ajo që mungon janë detajet konkrete, përfshirë kohën kur, sipas tyre, mund të kishte ndodhur një përshkallëzim i tillë i situatës.
Gjatë administratës së parë të presidentit Trump, Grenëll ka qenë një ndër protagonistët kryesorë në përpjekjet amerikane për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.