Lufta mes Sali Berishës dhe Belind Këlliçit ishte vetëm çështje kohe. Rregullat autoritare të liderit të vjetër dhe ambiciet e tepruara të deputetit të ri janë të papajtueshme me një bashkëjetesë paqësore. Dje, Çim Peka, zëdhënësi mediatik i familjes Berisha, e zyrtarizoi këtë përplasje, rezultati i së cilës në të vërtetë është i parashikueshëm: Këlliçi do të shtypet si çdo tjetër që gjatë 33 viteve të historisë politike ka guxuar t’i dalë përballë despotit “demokrat”.
“Opozita dhe deputetët e saj duhet të sillen si një ‘Akademi Politike’ (si socialistët), dhe jo si gazetarë kronike që na lajmërojnë për ‘arrestimet’ sipas burimeve të tyre në Shtator apo Tetor…”, shkruan Peka, i cili për të sqaruar se i referohet pikërisht Këlliçit, shton: “Bëtë protesta 3 muaj për ‘5D’ përballë Bashkisë, bëni 3 muaj protesta përpara Kryeministrisë për ‘5M’ (Rama-Bela-Balla-Manastirliu-Krifca), dhe shiheni a vepron SPAK!?”
Ajo që Berisha nuk ia fal më ‘gazetarit tw kronikws’’-Këlliçi janë marrëdhëniet e tij “dashamirëse” me SPAK-un dhe loja e dyfishtë që deputeti, i zgjedhur vetëm falë vendit në listën e mbyllur që ia siguroi Berisha, vazhdon të zhvillojë. Tani që SPAK-u ka arrestuar Erion Veliajn dhe e ka çuar për gjykim (edhe pse për asnjë nga akuzat që Këlliçi kishte artikuluar gjatë një viti protestash), Këlliçi ndjen se ka marrë hakun personal dhe nuk humbet rast për të lavdëruar punën e Prokurorisë së Posaçme, duke harruar se për Berishën dhe familjen e tij, kjo prokurori mbetet ende armiku publik numër një.
Këlliçi flirton me disa prokurorë të SPAK-ut si pjesë e një loje politike-mediatike që përfshin në mënyrë të ndërthurur edhe figura të tjera të PD-së, disa eksponentë të qeverisë socialiste dhe pseudo-gazetarë të financuar nga të dyja palët. Janë lidhje të fshehta që Berisha i sheh, por nuk i kontrollon, dhe kjo ushqen (ndoshta jo pa të drejtë) paranojat e tij të përjetshme.
Që nuk i kishte besuar ndonjëherë Këlliçit, të cilit ia njeh mirë mungesën e vlerës politike dhe morale, Berisha e ka pohuar publikisht, kur pranoi se do të kishte preferuar Agron Shehajn në vend të tij. Jo vetëm në kohën e betejës për Bashkinë e Tiranës, kur donte ta kandidonte si kryetar bashkie, por edhe në prag të 11 majit, kur i propozoi të bëhej drejtues i fushatës së PD-së në Tiranë. Në të dy rastet Shehaj refuzoi, dhe në të dy rastet Berisha u mjaftua me Këlliçin si zgjedhje të dytë. Një gabim fatal, pasi kishte shumë figura të tjera që e meritonin më shumë, për kontributin e dhënë në parti (deri edhe Adrjana Kalaja e meritonte me shumw), gabim që Berisha dhe PD-ja e paguan shtrenjtë.
Përplasja zgjedhore me Erion Veliajn, siç dihet, përfundoi me humbjen e Belo-s me një diferencë prej 58 mijë votash. Ndërsa zgjedhjet politike të majit shkuan edhe më keq. Mjafton të lexosh të dhënat tani që rezultatet janë përfundimtare: në qarkun e Tiranës të drejtuar nga Belind Këlliçi, Partia Demokratike humbi më 11 maj edhe 60.338 vota të tjera krahasuar me zgjedhjet tashmë katastrofike të vitit 2021. Nga këto vota, 21.705 shkuan për partinë e Agron Shehajt: pra nëse Berisha do ta kishte bindur atë, në vend që të kënaqej me Këlliçin, bilanci për demokratët do të kishte qenë më pak i turpshëm.
Këto të dhëna janë një tjetër burim përplasjeje mes Sali Berishës dhe Belind Këlliçit, i cili, ndonëse e ka fundosur PD-në në Tiranë më keq se vetë Berisha, refuzon të bëhet zëdhënës publik i fushatës për “farsën elektorale” të shpikur nga Berisha për të justifikuar disfatën kombëtare të partisë. Një heshtje që Berisha e ka kritikuar sërish: “Ajo që është e qartë si drita e diellit është se 11 maji ishte farsë elektorale. Ata që nuk e kanë të qartë, kanë mungesë të kulturës elektorale dhe duhet të ndalen dhe ta analizojnë”, deklaroi dje, në një tjetër referencë për Këlliçin.
Por nëse Këlliçi do të denonconte farsën elektorale, siç Berisha kërkon, ai do të humbiste armën kryesore që synon të përdorë për ta “vrarë” politikisht Berishën dhe për të shpresuar se mund ta zërë vendin e tij: domethënë, të kërkojë dorëheqjen e tij si kryetar partie, siç parashikon statuti në rast humbjeje zgjedhore. Nëse do ta pranonte me bindje farsën, atëherë do të vinte në dyshim edhe humbjen, dhe për rrjedhojë, edhe detyrimin për të dhënë dorëheqjen. Ndërkohë, një vit më parë, Këlliçi pati kujtuar pa ekuivok se statuti i partisë parashikon që në rast humbjeje elektorale, kryetari aktual duhet të japë dorëheqjen: “Në lidhje me lidershipin mjafton t’i referoheni statutit të PD-së dhe i merrni përgjigjet. Ka ikur koha e dëshirave personale”, deklaroi ai.
Pra, përplasja është e hapur. Këlliçi, ambiciozi, pretendon të sfidojë Berishën, autokratin, dhe ta mposhtë. Një iluzion i pastër për dikë që deri më sot ka treguar se nuk ka as integritet moral dhe aq më pak përgatitje politike për të arritur një objektiv të tillë personal, që askush para tij, edhe më i zgjuar, nuk ka mundur ta realizojë./Shqiptarja.com