Kristjan Asllani duket larg Interit. Drejtori sportiv i zikaltërve, Piero Ausilio ka konfirmuar se klubi i ka thënë mesfushorit të kombëtares shqiptare që të gjejë një ekip të ri.

Për mesfushorin ka interes të shtuar nga Fiorentina, njësoj si për futbollistin tjetër të zikaltërve, Salvatore Espositon. Në një mbrëmje gala, Ausilio u shpreh konkretisht se pas tre viteve me Interin, është e udhës që Asllani të gjejë një tjetër ekip ku të aktivizohet rregullisht. Për momentin asnjë pistë nuk duket konkrete.

“Mund të them se nuk ka asnjë ekip më të afërt me Asllanin dhe Espositon sot. Ka disa situata të diskutueshme dhe telefonata të ndryshme, por nuk ka pista konkrete”, tha fillimisht ai.

Më pas Ausilio i “vuri vulën” të ardhmes së Asllanit.

“Lidhur me Asllanin, mendojmë se pas tre vitesh, është e drejtë që ai të gjejë mundësi të ndryshme për të luajtur më vazhdimisht, edhe pse nuk duhet të harrojmë se ai bëri 100 paraqitje për Interin dhe është anëtar i ekipit kombëtar të Shqipërisë. Megjithatë, një projekt larg shtëpisë është ideal për të në këtë kohë”, tha ai.

Mesa duket Asllani bëri gabim që refuzoi Real Betisin, me dëshirën për të mbetur në Serie A. Duket se disa telefonata me Fiorentinën mund të bënin që ai të rikthehej sërish në Toskanë, por këtë herë jo me fanellën e Empolit.