Zero tituj, humbja në finalen e Champions League 5-0 kundër PSG-së dhe largimi i trajnerit Simone Inzaghi kanë bërë që Interi të kërkojë një fytyrë të re për sezonin që nis në gusht.

“Gazzetta dello Sport” bën me dije se zikaltërit janë në kërkim të një mesfushori dhe emri i parë i lakuar është ai i Granit Xhakës. Me Galatasarayn që qëndron pas Calhanoglu, një largim i mundshëm i tij drejt Turqisë do krijonte një “gropë” të madhe në mesin e fushës.

Kësisoj, drejtuesit e Interit po mendojnë që të nisin bisedimet me Granit Xhakën; një profil i pëlqyer për grintën në fushë dhe sukseset në karrierë. Në moshën 32-vjeçare, kapiteni shqiptar i Zvicrës është mesfushori më në “modë” i momentit dhe pas Milanit e Juventusit, edhe Interi po mendon ta afrojë në ekip.
GRANIT XHAKA – Prej javësh Igli Tare e ka kontaktuar mesfushorin dhe ka marrë një “po” nga ai, por Leverkusen nuk e lëshon pa 15-18 milionë euro, gjë që është bërë pengesë në këtë pikë. Me Juven dhe Interin në garë, duket se Tare do e ketë më të vështirë për të mbërritur te shqiptari, edhe pse ata flasin shqip në biseda; por më shumë për faktin se Leverkusen nuk do lëkundet lehtë tani që tre ekipet më të mira në Itali kërkojnë liderin e tyre të mesit të fushës.