E ftuar në emisionin “NOW” në Euronews Albania ishte ish-nënkryetarja e partisë “Shqipëria Behet”, Etleva Merko, e cila tregoi detaje në lidhje me dorëheqjen e saj nga posti që mbante në këtë parti.

Ajo konfirmoi në studio se ka dhënë dorëheqjen nga funksionet politike në Lëvizjen “Shqipëria Behet”, por pohoi se do të vazhdojë aktivizmin e saj.

Po ashtu Merko sqaroi dhe polemikat në portale që pretendonin se nëna e saj kërkonte mandatin si deputete.

“Po, është lajmi i vërtetë, unë kam dhënë dorëheqjen si nënkryetare e partisë ‘Shqipëria Behet’. Sa i përket largimit tim nga pozicioni politik, kjo erdhi në zbatim të statutit të partisë, sepse normalisht kur dikush ka një pozicion politik si unë që isha nënkryetare partie, duhet të ketë dhe dinjitetin të dorëhiqet nga pozicioni pas humbjes së vet. Dua që të jem një ndër mesazhet e pakta në politikën shqiptare, ku shohim se edhe pas humbjes, në të njëjtat pozicione drejtuese mbeten të njëjtat figura. Unë nuk dua të jem një shembull i tillë dhe mendoj se ka ardhur koha që kjo politikë të ndryshojë. Unë tani nuk do të mbaj pozicion politik, por do të jem aktiviste, siç kam qenë gjithmonë, edhe kur nuk kam pasur statuset e ndryshme politike, duke qenë një zë opozitar”, tha Merko.

Etleva Merko sqaroi edhe pjesën e përfolur në portale, se nëna e saj donte të merrte mandatin si deputete pasi kandidoi në zgjedhjet e 11 majit, duke hedhur poshtë këto pretendime dhe duke thënë se nëna e saj kishte dhënë dorëheqjen, ashtu siç kishin rënë dakord parimisht.

“Po më duhet të sqaroj sesi erdhi kjo dorëheqje. Ndodhesha me pushime me familjen time në Sarandë dhe pashë në një portal një lajm që shkruante: ‘Nënkryetarja e Lëvizjes Shqipëria Behet jep dorëheqjen, ndërsa nëna e saj, e renditur në listën e mbyllur të qarkut të Tiranës, do të marrë mandatin e deputetit’. Ishte e çuditshme, ndaj duhet ta sqaroj se nëna ime e ka bërë dorëheqjen, ashtu si kishim rënë dakord që lista e mbyllur të shërbente si mundësi për listën e hapur, ku të gjithë të afërmit tashmë po japin dorëheqjen pas zgjedhjeve. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me nënën time, e cila ka bërë dorëheqjen pas përfundimit të zgjedhjeve, duke e depozituar në KQZ. Mesazhi ka qenë i qartë që në start të listave, se prindërit do të shërbenin me një mesazh kundër politikës së vjetër dhe se ka ardhur koha për një politikë të re. Dhe kryesisht ata u përmbajtën pjesës së listës së hapur, si të rëndësishme dhe si simbol demokracie, ku populli zgjedh përfaqësuesit e tij në parlament”, tha Merko./EURONEWS ALBANIA