Monika Kryemadhi është njohur sot me akuzat nga SPAK dhe është marrë e pandehur për çështjen e fshehjes së pasurisë. Akuzat ndaj saj lidhen me kartën bankare që hetuesit kanë gjetur dhe shpenzimet që ka bërë deri edhe në SHBA.
Pas daljes nga godina e Prokurorisë së Posaçme, ajo dha edhe një deklaratë për mediat.
“Firmosëm ato fletët që s’jemi dakord! Do të shkojmë në gjykatë të fillojmë procedurat. Nuk merremi me portalet e komentet në Facebook. Mendoj që është një proces që duhet durim, s’kemi ç’të bëjmë. Mamaja ime akuzohet se më ka ndihmuar mua, pastruese pra. Akuzohem për fshehje pasurie. Vepër penale nuk ka. LSI ka deklaruar pagesat. Nëse kam kaluar vlerën 5 mln lekë të dhuratës, le të më çojnë në Gjykatë. Të ndahen shpenzimet që kemi bërë për ditëlindjen në SHBA. Kemi ngrënë drekën, janë paguar 1 mijë dolalrë, të pjesëtohen, Monika dhe fëmijët i bie 80 dollarë për njeri. Pastaj klemi shkuar në Disneyland te Universal Studio, bileta 100 dollarë. Kanë qenë dhuratë për ditëlindje, nëse e kalon vlerën sipas ligjit le të më gjykojnë”, tha Kryemadhi pas daljes nga godina.
Ajo i cilësoi të gjitha telenovela me të cilat do bënte film në të ardhmen.
“Të gjitha këto janë telenovela, që për fatin e keq apo të mirë do i bëj filma në të ardhmen”, tha ish-kryetarja e LSI.
Sipas deputetes, ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, nuk ka lidhje aspak me kartën bankare apo shpenzimet në Amerikë.
“Ilir Meta nuk ka qenë, ç’lidhje ka Meta me shpenzimet? Që të marrësh një kartë bankare duhet të vendosësh emrin. Ilir Meta nuk ka qenë në Amerikë, le të verifikohet a ka qenë dhe a ka shpenzuar aty ku është përdorur karta. Meta nuk ka pasur asnjë dijeni për shpenzimet e mia, asnjë qindarkë nuk ka ardhur nga Meta. Unë kam shpenzuar për rininë socialiste, përkundrazi, për Forumin Rinor”, u shpreh ajo, duke bërë krahasime me aktivitetin dekada më parë.