Izraeli dhe Siria kanë rënë dakord për një armëpushim, tha të premten i dërguari i SHBA-së në Turqi, pas disa ditësh konflikt, ku janë vrarë mbi 300 persona.

Të mërkurën, Izraeli nisi sulme ajrore në Damask dhe goditi forcat qeveritare në jug, duke kërkuar që ato të tërhiqeshin dhe duke thënë se Izraeli synonte të mbronte druzët sirianë – pjesë e një pakice të vogël por me ndikim që ka edhe anëtarë në Liban dhe Izrael.

“U bëjmë thirrje druzëve, beduinëve dhe sunitëve që të ulin armët dhe së bashku me pakicat e tjera të ndërtojnë një identitet të ri dhe të bashkuar sirian”, tha Tom Barrack, ambasadori i SHBA-së në Turqi, në një postim në X.

Barrack tha se Izraeli dhe Siria ranë dakord për armëpushimin e mbështetur nga Turqia, Jordania dhe fqinjët e saj. Ndërkohë një zyrtar izraelit tha se Izraeli ra dakord t’u lejojë forcave siriane akses të kufizuar në zonën Sweida të Sirisë jugore për dy ditët e ardhshme.

Presidenca siriane tha se autoritetet do të vendosnin një forcë në jug për t’i dhënë fund përleshjeve, në koordinim me masat politike dhe të sigurisë për të rivendosur stabilitetin dhe për të parandaluar rikthimin e dhunës.

Më herët këtë javë, Damasku dërgoi trupa qeveritare për të shuar luftimet, por ata u akuzuan për kryerjen e shkeljeve të përhapura kundër druzëve dhe u goditën nga sulmet izraelite përpara se të tërhiqeshin sipas një armëpushimi të rënë dakord të mërkurën.

Izraeli kishte thënë vazhdimisht se nuk do të lejonte trupat siriane të vendoseshin në jug të vendit, por vetëm dje tha se do t’u jepte atyre një afat të shkurtër për t’i dhënë fund përleshjeve të ripërtërira atje.

“Në dritën e paqëndrueshmërisë së vazhdueshme në Sirinë jugperëndimore, Izraeli ka rënë dakord të lejojë hyrje të kufizuar të forcave të sigurisë së brendshme (siriane) në distriktin Sweida për 48 orët e ardhshme”, u tha gazetarëve zyrtari, i cili nuk pranoi të identifikohej.

Nga ana tjetër Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se dhjetë pengje të tjera do të lirohen së shpejti në Rripin e Gazës pa dhënë detaje të mëtejshme.

Mediat amerikane raportuan se presidenti e diskutoi çështjen gjatë një darke me ligjvënësit në Shtëpinë e Bardhë, duke vlerësuar përpjekjet e të dërguarit të tij të posaçëm, Steve Witkoff.

Negociatorët izraelitë dhe të Hamasitmorën pjesë në raundin e fundit të bisedimeve në Doha, që filloi më 6 korrik, dhe diskutuan një propozim të mbështetur nga SHBA-të për një armëpushim 60-ditor.