Deputeti i Partisë Socialiste dhe anëtar i Komisionit të Ligjeve, Plarent Ndreca, në një intervistë për Nertil Agalliun në Report TV, e cilësoi vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që rrëzon praktikën e SPAK për sekuestrimin e celularëve dhe leximin e korrespondencës private pa vendim gjyqësor, si një hap pozitiv, por të paplotë.
Ndreca theksoi se ky vendim konfirmon mbrojtjen kushtetuese të komunikimeve private, por nuk e trajton në mënyrë të plotë mungesën e një ligji të posaçëm që rregullon qartë kufizimin e kësaj të drejte.
“Sot në Republikën e Shqipërisë nuk ekziston një dispozitë që përcakton procedurat për cënimin e fshehtësisë së korrespondencës. Kushtetuta kërkon që një kufizim i tillë të bëhet vetëm me ligj të posaçëm dhe me vendim gjyqësor”, u shpreh Ndreca.
Deputeti shpjegoi se sekuestrimi i telefonit nuk është i njëjtë me leximin e korrespondencës private, duke sqaruar se ky i fundit kërkon një proces të veçantë dhe një bazë ligjore të qartë. Ai kritikoi praktikat e deritanishme të SPAK, duke thënë se shpesh korrespondencat private janë hapur vetëm me autorizim të prokurorit dhe jo me vendim gjykate.
Ndreca rikujtoi se kishte ngritur shqetësimet për shkeljet procedurale dhe kushtetuese edhe në raportet e institucioneve të pavarura në vitin 2024, por Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), sipas tij, nuk kishte ndërhyrë.
“ILD ka të drejtë të verifikojë çdo veprimtari antikushtetuese, veçanërisht kur informohet nga një anëtar i Komisionit të Ligjeve. Megjithatë, deri më sot nuk ka marrë asnjë masë domethënëse,” deklaroi ai.
Në lidhje me projektin e ri të Kodit Penal, Ndreca u shpreh se nuk është njohur ende me të plotë me draftin, por theksoi nevojën për një dokument politik shpjegues (white paper) që të sqarojë objektivat e reformës. Ai nënvizoi se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale janë më urgjente sesa ato në Kodin Penal, duke theksuar rëndësinë e respektimit të procesit të rregullt ligjor si bazë e drejtësisë.