Kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri akuzohet nga SPAK, së bashku me vartësit e tij, se kanë ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendimmarrje, duke shpallur fitues të tenderit për mirëmbajtjen e rrugës Rreshën-Ura e Repsit bashkimin e operatorëve ekonomikë që kishin paraqitur ofertën më të lartë, duke shkaktuar një dëm prej afro 500 mijë eurosh buxhetit të shtetit.

Sipas SPAK, Komisioni i Prokurimit Publik duhet të orientonte autoritetin kontraktor për anulimin e procedurës, me qëllim rihapjen e saj, duke iu dhënë mundësinë operatorëve ekonomikë që të plotësonin kriteret e vendosura prej tij të konkurrojnë.

Pjesë nga dosja:

Komisioni i Prokurimit Publik nuk ka zbatuar drejt ligjin, pasi me vendimet e tij nuk ka udhëzuar autoritetin kontraktor të korrigjojë shkeljet e mundshme apo të ndalojë sjelljen e jashtëligjshme të saj, por në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndërhyrë duke i diktuar autoritetit kontraktor mënyrën e vlerësimit të operatorëve ekonomikë.

Tejkalimi i kompetencave të KPP ka sjellë trajtim të pabarabartë të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës, duke cenuar konkurrencën ndërmjet tyre dhe duke dëmtuar efikasitetin në procedurat e prokurimit publik, si dhe duke shkaktuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën mbi 47 milionë lekë.

Jonaid Myzyri i Pandehur nga SPAK

Më datë 24 qershor 2025 kreu i Prokurimeve Publike u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Akuza ka të bëjë me tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë 2.29 milionë euro.Në njoftimin e gjykatës bëhet me dije se janë marrë të pandehur edhe shtatë persona të tjerë për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ndërsa 3 të tjerë janë marrë të pandehur për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”.