Ish-zëvendëspresidentja e SHBA, Kamala Harris, ka konfirmuar se nuk do të kandidojë për postin e guvernatores së Kalifornisë në zgjedhjet e vitit 2026. Përmes një deklarate zyrtare, Harris bëri të ditur se ka marrë këtë vendim pas një procesi reflektimi të thellë për rolin e saj në jetën publike, duke theksuar se dëshiron të kontribuojë në një formë tjetër për momentin.

“Për momentin, drejtimi dhe shërbimi im publik nuk do të jenë përmes një funksioni të zgjedhur,” tha Harris.

Ajo shtoi se mbetet e përkushtuar ndaj angazhimit për të ndihmuar në zgjedhjen e demokratëve dhe do të ndajë së shpejti planet e saj për të ardhmen.

Vendimi i Harris vjen pas humbjes së saj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 ndaj Donald Trump, dhe ka rindezur spekulimet për një rikthim të mundshëm në garën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028. Ajo nuk e përjashtoi këtë mundësi, duke lënë të kuptohet se është ende pjesë e skenës politike kombëtare.

Këshilltari i saj, Sean Clegg, konfirmoi se Harris ka shqyrtuar alternativa të tjera, përfshirë krijimin e një organizate që synon të angazhojë votuesit e rinj, si pjesë e përpjekjeve të saj për të ndikuar politikisht jashtë institucioneve zyrtare.

Megjithëse konsiderohej si një kandidate e fortë për guvernatore, falë përvojës së saj të gjerë në politikën e Kalifornisë dhe nivelin federal, Harris duket se ka zgjedhur të ndikojë ndryshe. Në garën për guvernator kanë hyrë tashmë figura të njohura si Katie Porter, Antonio Villaraigosa dhe Xavier Becerra.

Harris mbetet një emër me peshë në politikën amerikane dhe, ndonëse jashtë skenës zgjedhore për momentin, një rikthim i saj në garën presidenciale në vitin 2028 mbetet një mundësi e hapur.