Një kurorë me lule, si simbol i hapur kërcënimi, është vendosur në portën e banesës së prindërve të Emiljano Nikës, drejtor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Sektor të Velipojës dhe është denoncuar menjëherë në polici.

Nika është një nga zyrtarët që ka drejtuar operacionet për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, një aksion që ka hasur në kundërshtime të ashpra nga banorët lokalë.

Policia njofton:
“Më datë 18.07.2025, shtetasi E. N., 44 vjeç, banues në Shkodër, ka kallëzuar se në banesën ku jetojnë prindërit e tij, në fshatin Sektor, Velipojë, është vendosur një kurorë me lule mbi kangjellat e portës. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit.”

Materialet në lidhje me ngjarjen janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme procedurale.

Kjo nuk është hera e parë që Emiljano Nika përballet me kërcënime në lidhje me detyrën e tij si drejtues i ndërhyrjeve kundër ndërtimeve të paligjshme. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit si dhe për garantimin e sigurisë së tij dhe familjes.