Nga Aladin Stafa/
Sezoni i pushimeve ka nisur prej disa javësh. Në zhvillim e sipër ai duket se ka sfiduar temperaturat e larta të cilat nuk e kanë zbehur bumin turistik të viteve të fundit me gjithë problematikat e pareferuara. Kryeministri i vendit, Edi Rama ka ndërmarrë një aksion të beftë tri-polësh që pak kush e priste.
Nëse jemi mësuar se gjatë stinës së verës, politika me cdo institucion të saj merr një pauzë prej dinamikave vjetore- kjo verë për vendimarrësit e zgjedhur nga qytetari do të jetë ndryshe. Duke na dhënë kësisoj edhe një mesazh se kohë për të humbur tanimë nuk ka dhe ndryshimet por edhe lëvizjet e njëpasnjëshme që duhet të ndjekin ritmin e Evropës nuk do të mbarojnë me kaq.
Aksioni më i fundit në fjalë lidhet pikërisht me një temë që prek dhe rrit ndjeshmërinë e qytetarit por sjell nga ana tjetër një nxitje të vetëdijes për një tjetër nivel të standartit të jetesës. E tillë mund të cilësohet nisma e fundit për ‘pastrim‘ në nivel kombëtar, duke përfshirë mjedisin, plazhet dhe administratën. Tri polet në të cilat Shqipëria po has vazhdimisht vështirësi në gjetjen dhe ruajtjen e një balance.
Dy të parat – mjedisi dhe plazhet- nuk kanë të bëjnë thjesht me ruajtjen e një imazhi te vendit, sidomos kohëve të fundit ku Shqipëria sa vjen dhe po bëhet një destinacion gjithmonë e më i pëlqyer nga turistët, por edhe i një sensibilizimi shoqëror ku cdonjeri nga ne, ka rolin e vet jo vetëm individual në komunitetin që e rrethon.
Për vite të tëra, fokusi ynë nuk ka qenë mjaftueshëm i përqëndruar në këtë sektor, ku edhe pse mund të kemi një përmirësim të lehtë të situatës, bashkëjetesa në komunitet ka qenë sfidues. Gjetja e një gjuhe të përbashkët në mendësinë tonë ballkanike postkomuniste herë pas here është sfilitëse ndaj dhe bashkëpunimi në komunitet mes nesh cilësohet tejet i mundimshëm.
Në një shoqëri që është mësuar të jetojë me kultin e individit ndryshe nga shoqëritë perëndimore të rritura me të drejtën qytetare dhe vlerat e integritetit të tij, nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Dhe pikërisht bashkëpunimi i parë mes nesh duhet të fillojë te përgjegjësia që kemi ndaj ruajtjes së mjedisit. Më së shumti një pikë e anashkaluar brez pas brezi, me mendimin që për sa kohë shtëpia ime është në rregull, rruga jashtë nuk ka cfarë më duhet.
E kundërta duhet të jetë!
Përtej aksionit të pastrimit, një tjetër nismë mori jehonë këto ditë. ‘Sulmi‘ për të liruar sa më shumë territore publike- një e drejtë ligjore për të gjithë ne. Tirana më së shumti e zaptuar në territore i shkaktonte qytetarit stres dhe kaos. Kryeqyteti, një metropol me gati 1 milion banorë, vuan në cdo orë të ditës nga kjo sindromë e c‘organizimit urban, ku ecja e lirë në qytet shfaqet si një sfidë më vete ndërsa hapësirat publike sa vijnë dhe rrallohen.
Plazhet nga ana tjetër kanë qenë prej vitesh një problematikë themelore e realitetit tonë. Gara se kush mund të kapë i pari ndonjë territor publik ka qenë e egër, kjo për shkak dhe të neglizhencës prej instancave përkatëse. Jo shumë larg nesh, mund të shohim vende si Mali i Zi apo Greqia që janë investuar me vite në respekt të hapësirave publike – hapësira që mbrohen dhe rregullohen bazë rregullave ligjore dhe një arsyetimi logjik; pa cuar në mosmarrëveshje e deri në dëmtim imazhi. Nëse turizmi po përflitet kaq shumë si një sektor tejet i rëndësishëm në vend (dhe ndër të vetmit), duhet sa më parë që bashkë me ngritjen e një kulture e cila vjen me kohën, të ndërmerren inisiativa infrastrukturore dhe administrative në të mirë të një qeverisje të qëndrueshme. Por jo vetëm, të tilla duhen edhe sa i përket rendit dhe sigurisë.
Dhe në shtim të këtyre nismave në zhvillim të sektorit të turizmit nuk duhet lënë pas fshati, zhvillimi i bujqësisë, i cili nëse investohet sjell uljen e importit të produkteve/ mallrave duke rritur nga ana tjetër zhvillimin e brendshëm.
Administrata- këndi i tretë i këtij aksioni u duk si një nismë krejt e befasishme. Edhe pse sezoni politik fillon në shtator, “pastrimi“ dhe riformatimi në qeverisjen vendore mesa duket kish nevojën e një rrjedhe të re. Duke ngritur njëkohësisht pikëpyetje se reforma e decentralizimit po bie dhe qeverisja vendore shpeshhere është parë si të vepruarit me ‘cifligje‘.
Por këto tre pika nuk janë vendime spontane të vetë KM Rama. Kuptohet fare qartë se këto janë nisma të një politike makro dhe të vërejtshme qartë prej grupkapitujve të hapur tashmë. Sepse BE i sheh këto cështje po aq me një vëmendje të kujdesshme.
Sistemimi i qyteteve, ndarja e zonave publike dhe jo-publike, ruajtja e mjedisit dhe administrata vendore – janë thuajse tematika që një vend europian i ka përfunduar prej kohësh.
Këto nuk prekin vetëm politikën por dhe ndërgjegjësimin e qytetarit- një kulturë që duhet të fillojë të ngrihet në vendin tonë dhe ku interesi i përbashkët duhet të prevalojë ndaj atij personal