Mançester Siti ka nisur një sulm, për të siguruar Denzel Dumfris. Me kohën që kalon, klubi anglez ka prioritet të sigurojë transferimin e mbrojtësit të djathtë të Interit, para se të skadojë klauzola e lirimit, e caktuar në 25 milionë euro dhe e vlefshme deri më 15 korrik.

Guardiola dëshiron të gjejë një zëvendësues për Kajl Uallker. Nevoja për të forcuar krahun e djathtë është e dukshme. Sezonin e kaluar, Guardiola madje e vendosi Nunes në atë pozicion, një zgjidhje emergjente që e bëri të qartë se ekipi kishte nevojë për një specialist.

Sipas “Fichajes”, Dumfris, me përvojën dhe aftësitë e tij përfaqëson një mundësi tërheqëse si në aspektin e paraqitjes, ashtu edhe të vlerës monetare. Holandezi 29-vjeçar ka deri tani 150 paraqitje për Interin që prej 2021-shit. Ai ka qenë një lojtar me ndikim të madh, duke shënuar 22 gola dhe shërbyer 26 asiste.